Debati mbi “kohën e duhur” për të arritur suksesin në jetë vazhdon të mbetet aktual, mes presioneve shoqërore dhe pritshmërive personale. Në emisionin “LIBERO”, u theksua se arritjet nuk lidhen domosdoshmërisht me moshën, duke u sjellë në vëmendje disa histori frymëzuese nga figura të njohura botërore.
Një ndër shembujt e përmendur ishte Colonel Harland Sanders, i cili themeloi rrjetin e famshëm të ushqimit të shpejtë KFC në moshën 62-vjeçare, duke dëshmuar se sipërmarrja nuk ka kufi kohor. Po ashtu, Grandma Moses zbuloi talentin e saj për pikturë në moshën 78-vjeçare, duke u bërë një nga artistet më të njohura të artit popullor amerikan.
Historia e Susan Boyle, e cila u bë e famshme në moshën 47-vjeçare përmes Britain’s Got Talent, dhe ajo e Laura Ingalls Wilder, që publikoi librin e saj të parë në moshën 65-vjeçare, u përmendën si dëshmi të tjera se suksesi mund të vijë në çdo fazë të jetës.
Ndërkohë, shkencëtari John B. Goodenough fitoi Çmimin Nobel në Kimi në moshën 97-vjeçare, duke sfiduar çdo ide mbi kufijtë e moshës në arritjet akademike dhe shkencore.
Megjithatë, psikologia Ibelinda Halili theksoi se, ndonëse shumë fusha lejojnë zhvillim të vazhdueshëm gjatë jetës, ekzistojnë edhe profesione dhe disiplina që kanë kufizime kohore. Sipas saj, “në disa gjëra – sfera të caktuara – ka afate kohore strikte, ndërsa në disa të tjera ka jetëgjatësi më të madhe”.
Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth temës: “A ka një kohë “të duhur” për t’i arritur gjërat në jetë”?, klikoni në linkun e mëposhtëm:






