Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut ka reaguar pas vdekjes së dyshimtë të katër vjeçares në Gjakovë, e cila thuhet se u sulmua rëndë nga persona tjerë.
Sipas raportimeve dhe dyshimeve të ngritura nga prindërit e vajzës e ndjera dyshohet se ka pësuar një sulm nga dy fëmijë të tjerë, duke u goditur me forcë në pjesën e shpinës dhe gjoksit, gjë që ka çuar edhe në rrëzimin e saj në rrugë. Me gjithë gjendjen e rënduar të fëmijës, prindërit janë shprehur se përgjigja mjekësore ndaj gjendjes së saj ka qenë e pamjaftueshme dhe jo në përputhje me standardet profesionale.
KMDLNj-ja u ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse në përmbushje të mandatit të tyre, të trajtojnë me prioritet absolut rastin dhe të ndërmarrin në mënyrë të menjëhershme veprimet dhe masat e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.
“Duhet që në mënyrë të menjëhershme të hetohen sjelljet neglizhente të supozuar mjekësore dhe ndihma e ofruar. Të kryehet një hetim i plotë dhe transparent për praktikat mjekësore të ndjekura në këtë rast, duke siguruar llogaridhënie të plotë. KMDLNj kërkon zbatimin e plotë të legjislacionit në fuqi dhe ndërmarrjen e të gjitha masave sipas rezultateve të hetimit, për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen. KMDLNj i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes për humbjen e rëndë dhe uron që të tilla raste të mos përsëriten”, thuhet në shkresë zyrtare.