Andrea Kimi Antonelli vazhdon të mahnisë botën e Formula 1, duke triumfuar edhe në Çmimin e Madh të Japonisë pas fitores në Kinë. Piloti italian i Mercedes-AMG Petronas Formula One Team hyn në histori si piloti i parë nën moshën 20 vjeç që fiton dy gara radhazi.
Antonelli e nisi garën nga pole position, por pati një start për t’u harruar, duke rënë deri në vendin e gjashtë. Në krye u vendos Oscar Piastri, i ndjekur nga Charles Leclerc dhe Lando Norris. Ndërkohë, për Mercedes filloi një punë e madhe për rikuperimin e pozicioneve, me të dyja makinat që shfaqën ritëm të lartë, por u penalizuan nga trafiku në pistë.
Parakalimet ndaj makinave Ferrari u realizuan me sukses, por George Russell mbeti pas Piastrit, ndërsa Norris mbante pas Antonellin. Lufta për vendin e dytë ishte e fortë, me parakalime dhe kundërparakalime, por australiani rezistoi mirë, ndërsa Leclerc ruante pozicionin ndaj Norris.
Në xhiron e 15-të, Antonelli bëri një paraqitje spektakolare, duke kaluar si Norris ashtu edhe Leclerc dhe duke u shndërruar në pilotin më të shpejtë në pistë. Momenti vendimtar erdhi pas aktivizimit të Safety Car për shkak të një incidenti të Oliver Bearman. Russell hyri në bokse, ndërsa Antonelli përfitoi dhe mori kryesimin.
Pas ristartit, italiani menaxhoi në mënyrë perfekte garën, duke rritur gradualisht diferencën me ndjekësit dhe duke kaluar i pari vijën e finishit. Pas tij u rendit Piastri, që rikthehet në podium pas dy garash të vështira, ndërsa vendi i tretë shkoi për Leclerc pas një dueli të fortë me Russell në fund të garës.
Në vendin e katërt u pozicionua Russell, i ndjekur nga Norris dhe Lewis Hamilton. Në zonën e pikëve u renditën gjithashtu Pierre Gasly, Max Verstappen, Liam Lawson dhe Esteban Ocon.
Pas Çmimit të Madh të Japonisë, ndryshon edhe renditja e përgjithshme. Antonelli kryeson me 72 pikë, duke vendosur një tjetër rekord si piloti më i ri në historinë e Formula 1 që merr kryesimin e kampionatit. Në vendin e dytë renditet Russell me 61 pikë, ndërsa Leclerc mban vendin e tretë me 49 pikë.






