Një rast alarmant i ngacmimit seksual është raportuar në shkollën “Mazllum Këpuska” në Gjakovë, ku një punëtor i bufesë dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur. Sinjali raportoi të enjten për këtë incident të rëndë, ndërsa tashmë është zbuluar emri i të dyshuarit.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet D.Ll., ka marr aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesë, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet D.Ll., me datë 26.03.2025 në Gjakovë, saktësisht në Shkollën Fillore të Ulët “M.K.”, e ngacmon seksualisht personin tjetër, e cila është e ndjeshme për shkak të moshës, duke u përfshirë në sjellje të padëshiruar verbale të natyrës seksuale ndaj të dëmtuarës/e mitur, veprime këto me të cilat të dëmtuarës/e mitur, i ka cenuar dinjitetin dhe ka krijuar mjedis objektivisht frikësues, degradues dhe poshtërues“, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Rasti është raportuar më 26 mars nga prindi i viktimës, i cili ka njoftuar policinë për ngjarjen dhe si rezultat, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe ka siguruar prezencën e të dyshuarit.