Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar 30 ditë paraburgim për shtetasin turk i cili dyshohet se ka vrarë vajzën e tij, dhe ka plagosur tjetrën.
M.G nga Prizreni dyshohet se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë”, “Vrasja e rëndë e ngelur në tentativë”, dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Sipas kërkesës së prokurorisë, i dyshuari M.G., me datë 06.05.2025, rreth orës 05:30, në rrugën “Shote Galica” në Prizren, me dashje privon nga jeta vajzën e tij 15-vjeçare, me mjet të mprehtë [thikë] të llojit ‘Bajonetë’, me ç ‘rast e njëjta ndërron jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Tutje thuhet se i njëjti, me dashje tenton t’i privojë nga jeta vajzën rreth 10 vjeçare, të cilës i shkakton lëndime të rënda trupore, më pas me po të njëjtën thikë e godet edhe bashkëshorten e tij, duke vënë me dashje në rrezik jetën e tyre.
Personi i dyshuar M.G gjendet në ndalim 48 orësh.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar të martën pas tragjedisë në Prizren duke u bërë thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë me “forcën maksimale të ligjit, pa asnjë mëshirë ndaj dhunës”.
“Kur brenda katër mureve të shtëpisë – aty ku duhet të ketë dashuri, siguri dhe ngrohtësi – ndodh një krim kaq i rëndë sikur ky që ndodhi sot, ku njëra vajzë vritet nga dora e babait dhe vajza tjetër mbetet e plagosur së bashku me nënën e saj, nuk jemi më vetëm përballë një tragjedie familjare. Jemi përballë një drame shoqërore, një alarm që kumbon fort për të gjithë. Për secilën shoqëri e secilin shtet”, ka thënë Osmani.