Oda e Avokatëve të Kosovës ka reaguar me shqetësim dhe kundërshtim të fortë ndaj, siç i quan ajo, përpjekjeve të fundit të Qeveria e Republikës së Kosovës për të pezulluar dy rregullore të brendshme të saj: rregulloren për shpenzimet e regjistrimit dhe rregulloren për trajtimin e thirrjeve në sistemin e avokatëve sipas detyrës zyrtare (ex officio).
Në reagim, OAK thekson se këto akte janë miratuar nga organet e saj kompetente në përputhje me Ligjin për Avokatinë dhe Statutin e saj, dhe se ndërhyrja në to përbën, sipas saj, cenim të autonomisë institucionale dhe të vetëqeverisjes së profesionit të avokatit.
“Oda e Avokatëve të Kosovës nuk është organ i pushtetit ekzekutiv, nuk është departament i Ministrisë së Drejtësisë, nuk është institucion që vepron sipas orientimeve të qeverive të radhës. Ajo është institucion i pavarur, i themeluar me ligj, me kompetenca të garantuara për vetërregullim dhe vetëqeverisje profesionale”, thuhet në reagim.
Oda e Avokatëve shton se çdo tentim për pezullimin e tyre krijon një precedent të rrezikshëm ku ekzekutivi mund të ndërhyjë në vendimmarrjen e institucioneve të pavarura, duke cenuar parimet e ndarjes së pushteteve, sigurinë juridike dhe sundimin e ligjit.
Po ashtu, Oda paralajmëron se do të përdorë të gjitha mjetet juridike për të mbrojtur pavarësinë e saj dhe kompetencat e garantuara me ligj.





