Në kuadër të fushatës zgjedhore të Kosova Demokratik Türk Partisi, dy kandidatët për kryetar komune, Furkan Bütüç në Prizren dhe Abdulahadi Krasniç në Mamushë kanë intensifikuar takimet me qytetarë duke shpalosur vizionin dhe angazhimet e tyre.
Në Prizren, kandidati Furkan Bütüç është zotuar për një përfaqësim të fuqishëm të komunitetit turk në institucionet lokale, duke theksuar rëndësinë e unitetit, bashkëpunimit dhe pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në vendimmarrje teksa ka zhvilluar takime të shumta në lagje të ndryshme, ku ka dëgjuar nga afër shqetësimet dhe nevojat e banorëve.
Bütüç ka premtuar se me përkrahjen e qytetarëve, më 12 tetor do të sigurojnë tre ulëse në këshillin komunal, duke rikthyer ndikimin e munguar në institucionet vendore. Ai ka deklaruar se do të punojë për një qytet më të zhvilluar ekonomikisht, për më shumë mbështetje për bizneset e vogla dhe zejtarët, si dhe për shërbime më cilësore për qytetarët.
Ndërkohë në Mamushë, kryetari aktual dhe kandidati për një mandat të ri, Abdulahadi Krasniç, ka vënë theksin në vazhdimësinë e projekteve të mëdha që kanë filluar gjatë mandatit të tij.
Ai ka prezantuar ndërtimin e Qendrës Kulturore si projektin më të rëndësishëm që po realizohet aktualisht në këtë komunë, një investim që është cilësuar si më i madhi në historinë e Mamushës. Me një mbështetje shtesë prej 900 mijë eurosh nga Ministria e Kulturës, ky projekt pritet të përfundojë në vitin 2026 dhe synon të bëhet zemra e jetës kulturore, arsimore dhe shoqërore të qytetit.
Gjatë fushatës, Krasniç ka zhvilluar takime të përditshme me qytetarë në lagje e fshatra, ku ka diskutuar për shërbimet që janë ofruar deri tani dhe projektet që do të realizohen në të ardhmen.