Në përvjetorin e 17-të të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerësimet për respektimin e saj gjatë mandatit të Qeverisë së Albim Kurtit janë mjaft kritike, raporton Ekonomia Online.
Hulumtuesi i lartë në KDI, Vullnet Bugaqku, vuri në dukje një sërë shkeljesh dhe qasjesh të papërgjegjshme institucionale që, sipas tij, kanë cenuar thellësisht parimet kushtetuese dhe pavarësinë e institucioneve të drejtësisë në vend.
Ai thotë se ndërhyrjet e ekzekutivit kanë qenë të vazhdueshme dhe të rënda, duke atakuar Kushtetutën në mënyrë brutale gjatë katër viteve të fundit.
Ai theksoi se kjo qasje përbën një rrezik serioz për shtetin e së drejtës dhe për imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
“Në terma të përgjithshëm mund të vlerësojmë që në këtë mandat qeverisës që ka pasur më së shumti kontestime dhe më së shumti vlerësime dhe atakime të kësaj qeverie, por edhe të kësaj legjislature ndaj Kushtetutës së Kosovës dhe kjo ka ardhur kryesisht në dy segmente. Segmenti i parë është në procesin e draftimit, përgatitjes dhe miratimit të ligjeve dhe vendimeve të caktuara dhe shkelja e radhës që është bërë, është bërë në një segment të deklarimeve dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme si në parlament ashtu edhe nëpër media dhe në konferenca e të mos flasim nëpër fushata zgjedhore. Krejt qasja e qeverisë dhe ekzekutivit në këtë rast ka qenë një qasje agresive, sidomos ndaj sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës. Normalisht se ku ka këso qasje është e kuptueshme që do të ketë dhe bien ndesh të gjitha veprimet potencialisht të kësaj legjislature dhe të këtij mandati qeverisës karshi kësaj Kushtetute. Në parim, Kosova ka një Kushtetutë moderne në garantimin që ofron për të drejtat e njeriut. Për të drejtat e pakicave, për standardet që ofron lidhur me parimin e ndarjes dhe kontrollit dhe balancimit të pushteteve me respektimin e kompetencave. Megjithatë ata që marrin pozita të larta shtetërore, kryesisht këta që janë në nivel qeverisës nuk është që po brengosen fort për dispozitat e Kushtetutës”, tha ai.
Sipas Bugaqkut, Gjykata Kushtetuese ka anuluar disa nga ligjet më të rëndësishme të miratuara gjatë këtij mandati, duke përfshirë Ligjin për KPK-në, Ligjin për zyrtarët publikë dhe Ligjin për Byronë Shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme në konteste civile.
Po ashtu, janë kontestuar edhe vendime për shkarkimin e anëtarëve të bordeve të institucioneve të pavarura.
“Një kategori e ligjeve të propozuara, të miratuara në qeveri e Kuvend janë të kontestuara në Gjykatë, janë anuluar nga ana e Gjykatës. Madje edhe jo çfarëdo ligje, po ligje vitale që përfshijnë Ligjin e KPK-së, Ligjin për zyrtarët publikë, Ligjin e Byrosë Shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme në konteste civile. Pastaj ka pasur disa vendime të shkarkimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së e disa mekanizmave të tjerë të pavarur, siç është Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës dhe kështu Kushtetuta e Kosovës këto katër vjet është atakuar në mënyrë brutale nga ana e ekzekutivit në Kosovë”, tha ai për EO.
Bugaqku paralajmëroi se kjo qasje agresive ndaj Kushtetutës rrezikon, jo vetëm funksionimin e brendshëm demokratik të vendit, por edhe pozicionin e tij ndërkombëtar.
“E afekton goxha shumë parimin e shtetit të së drejtës sepse ne jemi një Republikë e re të themi ashtu edhe pse i kemi gati 17 vjet shtet, ose i kemi përmbushur 17 vjet shtet, megjithatë kur ka këso qasje agresive ndaj respektimit të Kushtetutës, normalisht që kjo reflekton në raporte ndërkombëtare, sidomos në raportet e misioneve të huaja që i kemi këtu, por edhe reflekton edhe në aspektin e integrimit të Kosovës në procesin ndërkombëtar, për shkak se të gjitha këto janë segmente që merren parasysh me rastin e vlerësimit të kapaciteteve të shtetit të Kosovës në respektimin e sundimit të ligjit, respektimin e shtetit të së drejtës, në respektimin e Kushtetutës dhe të kompetencave të organeve të pavarura kushtetuese”, tha ai.
Me gjithw sulmet e vazhdueshme nga ana e ekzekutivit, Bugaqku thekson se Gjykata Kushtetuese i ka qëndruar mandatit të saj.
“Gjykata Kushtetuese të gjitha vendimet që i ka ndërmarrë, i ka ndërmarrë brenda suazave dhe kompetencave që i ka së pari në Kushtetutë, pastaj në ligj të Gjykatës dhe në rregulloret e punës së gjykatës. Të gjitha procedurat kanë shkuar sipas procedurave standarde të kontestimit të projektligjeve të miratuar në parlament. Gjyqtarët e Gjykatës e kanë luajtur mandatin e vet dhe kompetencat e tyre i kanë ushtruar në përputhje me Kushtetutën. Sa i përket kualitetit të vendimeve që i ka lëshuar nga Gjykata pothuajse të gjitha kanë qenë të bazuara në Kushtetutë dhe madje të arsyetuara nëpërmjet praktikave dhe standardeve evropiane, qoftë të opinionit të Komisionit të Venecias, por edhe të rekomandimeve ose praktikave më të mira të Gjykatave Kushtetuese në rajon dhe në Evropë. Prandaj, deklarimet dhe sulmi që i është bërë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, normalisht që ka cenuar rëndë pavarësinë e tyre, për faktin që është një lloj presioni i drejtpërdrejtë edhe nëpërmjet mediave, edhe nëpërmjet konferencave, madje edhe në mbledhjet e qeverisë, në parlament ndaj punës së gjyqtarëve. Kjo e afekton pavarësinë gjyqësore të kësaj Gjykate, ky është një shembull i keq”, tha ai.