Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Përparim Rama, i cili kandidon edhe për një mandat të dytë ka vënë theksin në rigjenerimin urban të lagjeve. Sipas tij, për herë të parë, lagjet e kryeqytetit po marrin formë përmes planeve të mirëfillta urbane.
Me fokus të veçantë në rininë dhe sportin, kandidati për kryetar në Gjilan, Arbër Ismajli premtoi mbështetje të madhe për klubet sportive.
Mbështetja për sportin, sidomos për klubet lokale që përballen me mungesë përkrahjeje premtoi edhe Gëzim Plakolli,kandidat për kryetar në Mitrovicë.
Kurse në Istog, kandidati për mandat të dytë, Ilir Ferati teksa ka zhvilluar takime me të rinjtë istogas ka shprehur përkushtimin për të ndërtuar një Istog që ofron hapësira për zhvillim dhe përfshirje.
Në Lipjan, Imri Ahmeti, kryetar aktual dhe kandidat për mandat të ri, ka theksuar intensifikimin e punës në terren dhe angazhimin e pandalshëm për zhvillimin e komunës. Ai gjithashtu ka nderuar dëshmorët, me homazhe pranë shtatores së Arsim Zeqirit.
Në Prizren, kandidati Driton Selmanaj ka prezantuar një vizion për zhvillim kulturor. Ai ka premtuar hapësira të reja për art, muzikë, teatër, biblioteka dhe qendra rinore në çdo lagje.
Visar Azemi, kandidat për kryetar të komunës së Ferizajt teksa ka zhvilluar takim me banorët, ai u ka premtuar zgjidhje për problemet infrastrukturore.
Ndërsa në Viti, Sokol Haliti, kryetar aktual dhe kandidat për mandat të ri, ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që po merr nga qytetarët, sidomos nga të rinjtë. Ai ka premtuar vazhdimin e projekteve transformuese që, sipas tij, e kanë ngritur Vitinë dhe do ta ngrejnë edhe më lart në mandatin e ardhshëm.