Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Përparim Rama, kandidat për një mandat të dytë, ka promovuar projektet e realizuara, si transformimi i një hapësire të braktisur në lagjen Kalabria dhe rregullimin e hapësirave publike në lagjen Arbëria.
Në Gjilan, kandidati Arbër Ismajli premtuar përfundimin e stadiumit dhe palestrave, si dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për zhvillimin e sportit në komunë.
Ilir Ferati, kryetar aktual i Istogut dhe kandidat për një mandat të ri, ka paraqitur një program të strukturuar në gjashtë shtylla kryesore që, sipas tij, do të transformojnë qytetin.
Në Mitrovicë, kandidati Gëzim Plakolli ka vendosur në fokus të programit të tij mbështetjen për bizneset lokale, duke i quajtur ato gjeneratorë të vendeve të reja të punës dhe garanci për një të ardhme më të mirë.
Driton Selmanaj, kandidat për kryetar të Prizrenit, ka premtuar ruajtjen e trashëgimisë kulturore, me theks të veçantë te Kalaja e Prizrenit.
Në Shtime, kandidati Kastriot Shabani ka premtuar mbështetje të vazhdueshme për sportin dhe krijimin e hapësirave të përshtatshme për të rinjtë, si pjesë e përkushtimit ndaj gjeneratës së re.
Visar Azemi, kandidat për kryetar të Ferizajt gjatë takimit me rininë u premtoi atyre një qytet të gjelbër me më shumë parqe, furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm dhe përmirësim të infrastrukturës urbane.
Në Viti, kryetari aktual Sokol Haliti, i cili kandidon për një mandat të ri, ka ndarë projektet e realizuara në fshatin Kabash e Gërmovë, duke i vendosur si bazë për angazhimet e tij të mëtejme.
Kurse Xhafer Tahiri, kandidat për kryetar të Vushtrrisë, ka premtuar grante dhe trajnime për gratë me qëllim fuqizimin e tyre ekonomik.