Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka prezantuar projektin për infrastrukturë të rregulluar, më të ndricuar dhe me transport publik për të gjithë në kryeqytet.
Në Gjakovë, kryetari aktual Ardian Gjini, që kërkon edhe një mandat tjetër, njoftoi për nisjen e ndërtimit të parkut rekreativ-sportiv dhe amfiteatrit veror në fshatin Korenicë. Ai u zotua se projektet e reja do ta transformojnë Gjakovën në një qytet modern e të gjeneratave.
Në Gjilan, kandidati Nazmi Gagica, në kuadër të tubimit të Aleancës së Gruas, premtoi forcimin e rolit të gruas në politikë dhe ekonomi, duke e quajtur atë shtylla e familjes dhe garancia e një shoqërie të drejtë.
Në Fushë Kosovë, kandidatja Vildane Latifi, në prani të kryetarit të partisë, Ramush Haradinaj, prezantoi planin “Dritë për Fushë Kosovën”. Ajo tha se qyteti me mbi 65 mijë banorë ka mbetur pa zgjidhje për problemet themelore dhe premtoi përmirësim të infrastrukturës, arsimit dhe zhvillim ekonomik.
Në Prizren, kandidati Besnik Krasniqi shpalosi slogane të fushatës së tij, duke thënë se qytetarët duhet të zgjedhin “besnikëri për Prizrenin” dhe jo fjalë të kota.
Në Suharekë, kryetari aktual Bali Muharremaj, i cili kandidon për një mandat të ri, theksoi arritjet dhe projektet që vazhdojnë të zhvillohen. Ai bëri të ditur se fushata e tij mbështetet në punë konkrete dhe falënderim ndaj qytetarëve.
Në Viti, kandidati Labinot Bislimi kritikoi ashpër pushtetin lokal aktual, duke e quajtur dështim dhe keqqeverisjen. Ai premtoi dialog të hapur mes qytetarëve dhe institucioneve, si dhe një qeverisje të përgjegjshme që i kthen dinjitetin qytetit.
https://www.facebook.com/share/r/1CHXV2PpeP/