Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, gjatë fushatës së tij zgjedhore ka prezantuar programin për lagjet Ulpiana dhe Dardania, të cilat i ka quajtur themelet e lashta të Prishtinës.
Sipas Berishës, ky program është hartuar bashkë me qytetarët teksa premton përmirësim të infrastrukturës, rritje të cilësisë së jetës dhe ruajtjen e trashëgimisë historike të kryeqytetit.
Në Rahovec, Smajl Latifi, i cili kërkon një mandat të ri si kryetar komune, ka vendosur shëndetësinë si prioritet kryesor të qeverisjes së tij. Ai premton aparatura moderne, digjitalizim, trajnime për mjekë dhe punësim të të diplomuarve të rinj.
Kandidati për kryetar të Pejës, Ali Berisha, ka kritikuar politizimin e sistemit arsimor premton transport falas për nxënësit, mbështetje për bujqit dhe shëndetësi më funksionale.
Në Suharekë, Bali Muharremaj, aktualisht në krye të komunës dhe kandidat për një mandat të ri, ka zhvilluar takime me biznese vendore dhe ka nderuar dëshmorët lokalë. Ai ka premtuar vazhdim të zhvillimit dhe bashkëpunim të ngushtë me qytetarët dhe sektorin privat.
Në Ferizaj, kandidatja e AAK-së Xhemile Murati Shabani premton një qeverisje më të drejtë dhe më afër qytetarëve, me synim zhvillimin e komunës.