Kandidati për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, zhvilloi takim me Shoqatën e të Verbërve, ku premtoi angazhim konkret për renovimin e objektit, rritjen e të hyrave, sigurimin e syzeve të mençura, si dhe zbatim të Ligjit për të Verbërit.
Mbështetje të përhershme për Ansamblin dhe Korin e Qytetit të Gjilanit premtoi kandidati, Nazmi Gagica, I cili e ka vendosur kulturën në epiqendër të programit të tij.
Kryetari aktual dhe kandidati për një mandat të ri në Rahovec, Smajl Latifi, theksoi rezultatet konkrete në sektorin e bujqësisë. Ai premton vazhdimësi të investimeve në bujqësi dhe zhvillim rural.
Në Pejë, kandidati Ali Berisha u zotua për kapacitete të reja grumbulluese të ujit, eliminimin e gropave septike, dhe investime në impiante për ujërat e zeza në çdo lokalitet.
Besnik Krasniqi, kandidat në Prizren, premtoi mbështetje për prodhuesit vendor. Ai tha se brenda 6 muajve të parë të qeverisjes, zona industriale do të funksionalizohet, duke krijuar kushte për investime, punësim dhe zhvillim ekonomik.
Në Viti, kandidati Labinot Bislimi paraqiti projektin për rehabilitimin e prroit në fshatin Gërmovë, që do të shndërrohet nga një kanal ndotës në një aset natyror me ujëra të pastra dhe të kontrolluara përmes digave të vogla.
Në Vushtrri, kandidati Mensut Ademi premtoi se bizneset vendore do të jenë prioritet i qeverisjes së tij.