Ish-deputeti dhe kryetari i Forumit të Rinisë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Paris Guri, në emisionin “LIBERO” ka folur për përvojat e tij personale me ankthin dhe fazat depresive, duke theksuar rëndësinë e kujdesit për shëndetin mendor dhe kërkimin e ndihmës profesionale.
I pyetur nëse ka kërkuar ndihmë nga psikologu, Guri u shpreh se përvoja e tij nuk është e pazakontë, sidomos te të rinjtë.
“…Unë mendoj se secili i ri përballet me ankth dhe stres nga studimet, si dhe me faza të lehta depresive, të cilat mund të shndërrohen në gjendje më të rënda nëse nuk trajtohen. Absolutisht po, kam diskutuar me psikologë të ndryshëm. Para se të angazhohesha në këtë aspekt, kam punuar shumë me shëndetin mendor…” – tha ai.
Në cilësinë e kryetarit të Forumit të Rinisë, në bashkëpunim me kryesinë e LDK-së, ai ka kontribuar në realizimin e Linjës Telefonike për Ndihmë Psikologjike “Me ty”, një projekt që synon të ofrojë mbështetje profesionale (psikologjike) për qytetarët.
“…Kemi realizuar një projekt për krijimin e një linje telefonike institucionale përmes Qeverisë. Shumica e vendeve të botës e kanë një të tillë, ku çdo person mund të telefonojë dhe të ndajë shqetësimet e tij, dhe të përgjigjet një ekspert i fushës…” – u shpreh Guri.
Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Paris Gurit, klikoni në linkun e mëposhtëm:






