Pas më shumë se një muaji nga vizita në Ballkanin Perëndimor, gjatë së cilës e anashkaloi Beogradin dhe Prishtinën, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, këtë javë mbërrin në kryeqytetin serb. Analistët vlerësojnë se gjatë bisedimeve me zyrtarët serbë, dy tema do të jenë në qendër të vëmendjes – marrëdhëniet me Rusinë dhe marrëdhëniet me Kosovën, shkruan gazeta serbe “Blic”.
Igor Novakoviq, drejtor i kërkimeve në Fondin ISAC në Beograd, ka thënë se këto tema do të jenë të njëjtës peshë me ato që kanë adresuar komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe se duhet pasur parasysh se këto dy çështje janë shumë të rëndësishme për Kallas.
Tema e parë është qëndrimi i Bashkimit Evropian ndaj Rusisë dhe rrjedhimisht edhe pozicionimi i Serbisë në kontekstin e sanksioneve që BE-ja i ka vendosur Federatës Ruse, si dhe qëndrimi i Serbisë ndaj Ukrainës. Tema e dytë është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton Paparaci.
“Dëgjohen zëra se Kallas është më e interesuar për temën e dialogut sesa përfaqësuesi i mëparshëm. Këtu lind pyetja për qëndrimin e saj dhe se si do të funksionojë kjo në koordinim me përfaqësuesin special për dialogun, z. Peter Sorensen”, ka thënë Novakoviq.
Pikërisht për këtë temë, Kaja Kallas u shpreh tre ditë më parë në Tiranë, para fillimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian. E pyetur nga gazetarët se çfarë pret nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ajo kujtoi se BE ka emëruar para disa muajsh përfaqësuesin e ri special për dialogun, Peter Sorensen.
“Sigurisht, pres normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë ajo para samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë.
Strahinja Subotiq nga Qendra serbe për Politikat Evropiane ka theksuar se nuk duhet harruar që shefja e re e diplomacisë së BE-së vjen nga Estonia.
“Ajo me siguri do të hapë çështjen ruse, pasi tashmë ka paralajmëruar se BE-ja nuk e aprovon pjesëmarrjen në paradën në Moskë më 9 maj. Përveç kësaj, ajo do të flasë edhe për detyrimet ndaj Kosovës, duke qenë se pritet që deri atëherë situata politike në Kosovë të stabilizohet”, ka thënë Subotiq, përcjell Paparaci.
Sipas tij, për Kallas, çdo bashkëpunim me Rusinë është një “vijë e kuqe”.
“Pikërisht për këtë arsye ajo ka marrë reagime të ashpra nga Viktor Orban dhe Robert Fico, të cilët kanë pretenduar se Kallas “nuk ka mandat” për t’ua lidhur duart vendeve anëtare në politikën e jashtme,” ka thënë Subotiq.
Branka Llatinoviq, ish-ambasadore në OSBE, pret që vizita e Kaja Kallas në Beograd të sjellë tre tema kryesore, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, rruga evropiane e Serbisë dhe reformat që lidhen me këtë rrugë.
Sipas burimeve jozyrtare, Kallas mbërrin në Beograd nesër në mbrëmje, ndërsa programi zyrtar i vizitës fillon më 22 maj.