Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në Shqipëri, Jonid Jorgji, është përzgjedhur zyrtarisht si anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit (European Film Academy).
Lajmi është bërë i ditur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, e cila e cilësoi këtë përzgjedhje si një vlerësim të rëndësishëm për kontributin dhe angazhimin e Jorgjit në zhvillimin e sektorit audiovizual.
Sipas QKK-së, anëtarësimi në këtë institucion prestigjioz pritet të forcojë përfaqësimin e kinematografisë shqiptare në skenën evropiane, duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi dhe promovimi për kineastët shqiptarë.
Ky zhvillim vjen në një periudhë të rëndësishme për industrinë e filmit në Shqipëri, në kuadër të përpjekjeve për reformimin e sektorit dhe rritjen e prezencës së tij në arenën ndërkombëtare.





