Jeni djegur nga dielli? Këto janë hapat që duhet t’i ndërmerrni menjëherë

Nga ftohja e lëkurës dhe hidratimi, deri te aloe vera dhe kujdesi me flluskat – dermatologët tregojnë çfarë ndihmon vërtet dhe çfarë duhet shmangu

Edhe pse dihet mirë se kremi me faktor mbrojtës SPF është mbrojtja më e mirë kundër rrezatimit të dëmshëm UV, i cili në rastet më të rënda mund ta rrisë rrezikun e kancerit të lëkurës, ndodh që edhe personat më të kujdesshëm të harrojnë të mbrojnë pjesë të caktuara të trupit.

Çfarë është djegia nga dielli?

Djegia nga dielli është një reaksion inflamator në shtresat e jashtme të lëkurës, i shkaktuar nga rrezet UV. Ajo shfaqet me skuqje, zhveshje të lëkurës, ënjtje dhe flluska.

Edhe pse djegia mund të shërohet, në disa qeliza mund të ndodhin mutacione të përhershme, të cilat potencialisht mund t’i bëjnë ato kancerogjene.

“Dielli lëshon rrezatim ultravjollcë, i cili arrin në lëkurë dhe i dëmton qelizat e saj. Kjo ndodh sepse rrezatimi shkakton ndryshime në ADN, duke çuar në skuqjen karakteristike të djegies nga dielli”, shpjegon dermatologia e certifikuar, dr. Ranella Hirsch.

Melanina është pigmenti që e mbron lëkurën nga dëmtimi duke e errësuar atë. Disa njerëz kanë më shumë melaninë, prandaj lëkura e tyre nxihet, ndërsa të tjerët digjen më lehtë nga dielli.

“Megjithatë, pavarësisht llojit të lëkurës, është e rëndësishme të theksohet se si nxirja, ashtu edhe djegia nga dielli janë shenja të dëmtimit të qelizave të lëkurës”, thekson Hirsch.

Fatmirësisht, ka disa hapa që mund të ndërmerrni për ta lehtësuar djegien dhe për ta përshpejtuar shërimin, transmeton Telegrafi.

Largohuni menjëherë nga dielli

Sapo ta vini re djegien, kaloni në hije dhe shmangeni diellin derisa lëkura të shërohet plotësisht.

Dr. Hirsch këshillon të mos ekspozoheni në diell për sa kohë lëkura është e kuqe, rozë ose po zhvishet.

“Kur lëkura tashmë po përballet me një djegie, ajo është shumë më e ndjeshme ndaj dëmtimeve të mëtejshme dhe potencialisht më serioze”, paralajmëron dermatologia dr. Michelle Henry.

Ftoheni lëkurën

Lëkura duhet ftohur sa më shpejt. Sipas dr. Henry, i ftohti ndihmon në zbutjen e inflamacionit, dhimbjes, ndjesisë së djegies dhe kruajtjes që shoqërojnë djegien nga dielli.

Megjithatë, mos vendosni akull ose kompresë shumë të ftohtë drejtpërdrejt mbi lëkurë.

“Mbështilleni kompresën e ftohtë me një peshqir dhe mbajeni për 15 deri në 20 minuta, në mënyrë që të shmangni dëmtimin nga të ftohtit”, thotë ajo, duke shtuar se duhet të prisni një ose dy orë para se ta vendosni sërish.

Rekomandohet edhe një dush i freskët, pasi mund të ndihmojë në largimin e mbetjeve të klorit ose kripës, të cilat mund ta irritojnë më tej lëkurën.

Megjithatë, shmangni dushin e zgjatur, sepse mund ta thajë lëkurën, si dhe sapunët e fortë dhe pilingun.

Përgatitni një banjë me tërshërë ose qumësht

Një banjë qetësuese mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomave. Një nga opsionet është banja me tërshërë të bluar imët.

“Ajo ka veti antiinflamatore dhe mund të ndihmojë në kontrollimin e inflamacionit dhe kruajtjes që lidhen me djegiet. Kjo falë përbërjeve të quajtura avenantramide, të cilat e pengojnë inflamacionin”, shpjegon dr. Henry.

Tërshëra koloidale mund të jetë veçanërisht e dobishme në lehtësimin e të ashtuquajturës “kruajtje e ferrit” – një kruajtje jashtëzakonisht e dhimbshme dhe e pandalshme, e cila ndonjëherë mund të shfaqet disa ditë pas djegies.

Një përparësi tjetër është se kjo banjë e hidraton lëkurën dhe e ndihmon rikuperimin e saj.

Nëse nuk keni tërshërë, dr. Hirsch rekomandon një banjë me sasi të barabarta qumështi dhe uji të ftohtë.

“Proteinat e qumështit dhe acidi laktik natyral kanë efekt shumë qetësues”, shpjegon ajo.

Hidratohuni nga brenda

Lëkura e djegur ka nevojë për shumë më tepër ujë gjatë rikuperimit.

“Kur lëkura po përballet me dëmtimin e shkaktuar nga rrezet UV, asaj i nevojitet hidratim shtesë për ta zëvendësuar lëngun e humbur gjatë qëndrimit në diell”, shpjegon dr. Henry.

Sapo ta kuptoni se jeni djegur, rriteni konsumimin e ujit.

Dr. Hirsch thekson se hidratimin mund ta shtoni edhe me pije izotonike ose me fruta dhe perime të pasura me ujë, si shalqiri dhe kastraveci.

Hidratoni lëkurën edhe nga jashtë

Pas dushit, aplikoni një krem të butë hidratues për ta ruajtur lagështinë në lëkurë.

Thajeni lëkurën me kujdes, pa e fërkuar, dhe vendoseni kremin ndërsa ajo është ende pak e lagësht.

Kjo ndihmon në zbutjen e tharjes që shpesh shoqëron djegiet nga dielli.

“Vazhdoni ta hidratoni lëkurën edhe gjatë fazës së zhveshjes”, këshillon dr. Henry.

Vishni rroba të gjera

Mund të duket e vetëkuptueshme, por shmangni veshjet e ngushta dhe zgjidhni rroba të gjera.

Preferoni materiale të buta dhe ajrosëse, të cilat mbulojnë sa më shumë sipërfaqe të lëkurës.

Aplikoni aloe vera

Djegiet nga dielli dhe aloe vera shpesh shkojnë së bashku.

“Efekti qetësues i xhelit të kësaj bime mund të ndihmojë në shërimin e djegieve të shkallës së parë dhe të dytë dhe ta përshpejtojë rikuperimin”, shpjegon dr. Henry.

Përdorni aloe vera të pastër.

“Shmangni produktet që përmbajnë alkool, sepse ai mund t’i neutralizojë vetitë hidratuese dhe qetësuese të bimës”, thotë ajo.

Nëse keni mundësi të përdorni xhelin nga një bimë e freskët, aq më mirë.

Kërkoni produkte që përmbajnë peptide

Peptidet, të njohura për përdorimin në produktet kundër plakjes, kanë gjithashtu veti që ndihmojnë në shërimin e plagëve.

“Peptidet janë zinxhirë të shkurtër aminoacidesh, të cilët shërbejnë si blloqe ndërtuese të qelizave dhe ndihmojnë në riparimin e qelizave të dëmtuara. Dihet se mund të depërtojnë në dermë dhe ta nxisin prodhimin e kolagjenit”, shpjegon dr. Rabach, e cila u rekomandon pacientëve produkte me peptide pas ekspozimit të tepërt në diell.

Mos e prekni lëkurën që po zhvishet dhe mos i çani flluskat

Lëreni lëkurën të shërohet vetë.

“Kur djegia arrin fazën e zhveshjes, lejojeni lëkurën të bjerë natyrshëm”, thotë dr. Henry.

“Nëse keni flluska, mos i prekni dhe mos i çani, sepse kjo e rrit rrezikun e infeksionit.”

Nëse flluskat çahen vetë, dr. Henry rekomandon që zona të pastrohet me sapun të butë antibakterial dhe ujë të freskët, pastaj të vendoset një sasi e vogël vazeline dhe të mbulohet me fashë sterile që nuk ngjitet në lëkurë.

Parandaloni djegiet e përsëritura

Tregohuni të kujdesshëm para se të ekspozoheni sërish në diell.

Dr. Henry thekson se masa më e rëndësishme parandaluese është veshja e rrobave që mbrojnë nga dielli, duke përfshirë mëngët e gjata, pantallonat dhe kapelën me strehë të gjerë.

Natyrisht, kjo duhet të shoqërohet me përdorimin e një kremi mbrojtës me spektër të gjerë dhe SPF 30 ose më të lartë.

Mos harroni ta riaplikoni kremin çdo dy orë, sidomos pas notit ose djersitjes. /Telegrafi/

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA