Rreth 7 mijë viktima të asbestit janë shënuar vitin e kaluar në Itali, ndërkaq 60 mijë në 10 vjet, raporton agjencia italiane e lajmeve ANSA.
Italia, duke e kaluar Gjermaninë dhe Francën, ka rekordin evropian për vdekjet nga mezotelioma, sëmundja e padukshme.
Më shumë se 200 mijë janë vdekjet nga sëmundjet e lidhura në botë – të dhëna të zbuluara me shqetësim nga Kombet e Bashkuara, që sipas Observatorit Kombëtar të Asbestit mund të jenë nënvlerësuar, sepse nuk përfshijnë shtetet “të paafta” që nuk raportojnë dhe regjistrojnë rastet e sëmundjeve dhe vdekjeve nga asbesti, si dhe vdekjet nga ekspozimi mjedisor.
Sot është dita për të kujtuar viktimat e kësaj substance dhe Ezio Bonanni, president i Observatorit Kombëtar të Asbestit tha “kemi pasur 7 mijë vdekje vetëm në vendin tonë vitin e kaluar, dhe ndalimi global i asbestit që mbjell vdekje është ende një utopi”.
“Këto janë shifra që nuk i takojnë të kaluarës. Janë fytyra, histori, familje të thyer sot. Shumë nuk e dinin, të tjerë u injoruan. Shumë janë sakrifikuar në emër të fitimit. Nuk është më e pranueshme që të drejtohemi nga lobet e prodhuesve të mineralit vrasës dhe që pastrimi është i ngadaltë, pavarësisht pranimit të qartë nga të gjitha institucionet”, tha ai.
Mezotelioma malinje është një tumor i rrallë që preku kryesisht burrat.
Në Itali, ajo përfaqëson 0.8 përqind të të gjitha tumoreve të diagnostikuara tek burrat dhe 0.3 përqind të atyre të diagnostikuara tek gratë.
Nëntëdhjetë përqind e mezoteliomave janë shkaktuar nga ekspozimi ndaj asbestit, një material që përdorej kryesisht në vitet 1970 dhe 1980.
Duke qenë se kalojnë disa dekada ndërmjet ekspozimit dhe mundësisë së shfaqjes së mezoteliomës, pritet që numri i diagnozave të vazhdojë të rritet në vitet në vijim, duke arritur një kulm mes dekadës së dytë dhe të tretë të viteve 2000.
Të gjitha rastet e mezoteliomës raportohet në Regjistrin Kombëtar të Mezoteliomës. Italia ndaloi asbestin në vitin 1992.
“Por asbesti ende nuk është ndaluar në Itali – shtoi Bonanni.
“Kjo ditë kombëtare nuk është vetëm një kujtim. Është një thirrje. Një thirrje për përgjegjësi, për pastrim, për drejtësi për viktimat dhe për mbrojtjen e atyre që sot jetojnë, punojnë, studiojnë në vende të kontaminuara. Në këtë ditë, ne kujtojmë viktimat e padukshme të asbestit. Dhe riafirmojmë një angazhim: asnjë fitim më në kurriz të njerëzve. Asnjë heshtje më. Asnjë viktimë më”.
Shkalla e vdekshmërisë është rreth 93% e rasteve. Çdo vit ka 10 mijë diagnoza të reja, kryesisht burra, për arsye profesionale, punëtorë në fabrika ose zona ushtarake dhe në veçanti në rajonet me rrezikun më të madh. Lombardia, Piemonte, Liguria dhe Lazio përfaqësojnë më shumë se 56% të rasteve të raportuara.
Sipas statistikave të OBSH-së, ka rreth 125 milionë punëtorë në mbarë botën që ende ekspozohen ndaj substancës kancerogjene, dhe më shumë se 107 mijë që vdesin çdo vit për shkak të asbestit.
Sa i përket Italisë, në vitin 2024 do të ketë “40 milionë tonë asbest në një milion vende dhe mikrovende, prej të cilave 50 mijë janë industri, dhe 42 me interes kombëtar.
Situata është edhe më dramatike – shton Observatori – pasi kancerogjeni i rrezikshëm është gjithashtu i pranishëm në ndërtesat e 2,500 shkollave (të vlerësuara për vitin 2023), brenda të cilave ekspozohen më shumë se 352,000 studentë dhe 50,000 nga stafi.
Për më tepër, 1.500 biblioteka dhe ndërtesa kulturore përfshirë të paktën 500 spitale (të nënvlerësuara sepse hartimi i planit Ona është ende në proces), kanë komponente asbesti në strukturat e tyre dhe sistemet teknike, veçanërisht ato të ngrohjes, energjisë dhe termo-hidraulikës”.