16.6 C
Pristina
E hënë, 16 Shtator, 2024

INXHINIERI FATON PIRAJ I NJOHUR PËR SHPIKJET GJENIALE NË INDUSTRINË AUTOMOBILISTIKE

Për rreth 15 vite sa ka punuar në industrinë automobilistike, Fatoni ka bërë shumë projekte për brendet më të njohura të automobilave si Mercedes, Audi, Porsche, Toyota, etj., të cilat ka arritur t’i patentojë ndërkombëtarisht, duke u bërë njëri nga inxhinierët shqiptarë me më shumë shpikje të patentuara!

Shkruan: Demir Reshiti

Stereotipin që është krijuar ndër ne, se shqiptarët e mërgatës shihen vetëm si punëtorë krahu në vendet ku jetojnë, e kanë thyer shumë shqiptarë sidomos të rinj, të cilët janë inkuadruar dhe kanë arritur suksese mjaft të larta në shkencë, ekonomi, politikë, mjekësi etj. Emra të njohur ata janë bërë nëpër fusha të ndryshme në mbarë botën dhe suksesi i tyre është i padiskutueshëm.

Në kuadër të ciklit të shkrimeve Portrete opojanësh që na bëjnë krenar, sot do ta bëj prezantimin e inxhinierit Faton Piraj, nga fshati Pllavë i komunës së Sharrit i cili jeton e punon në Vjenë të Austrisë. Shkas për ta bërë këtë shkrim është ditëlindja e tij e 58-të të cilën Fatoni këtë radhë do ta kremtojë në Vjenë në një ambient familjar i rrethuar nga tre fëmijët e tij që tashmë kanë dhënë shenja se po ecin gjurmëve të suksesit të babait!

Fatoni është i lindur më 28 dhjetor 1965 në fshatin Pllavë. Është fëmija i dytë i prindërve Jahja e Hyrmete Piraj të cilët linden pesë fëmijë (dy djem e tri vajza).

Faton Piraj

Shkollimin fillor e ka kryer në vendlindje (4 klasë) dhe katër klasë të tjera në Shkollën “Shaban Shabani” në Llapushnik ku është shpallur nxënësi më i mirë i të gjitha kohërave i kësaj shkolle. Këtë të dhënë e gjeta në monografinë e shkollës të shkruar nga ish arsimtari Tafil Krasniqi! Gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm, ka qenë shumë aktiv nëpër gara e kuize të diturisë që organizoheshin nga shkolla dhe institucionet tjera në nivel të komunës e të Kosovës.

Dy vitet e para të shkollimit të mesëm i ka kryer në Sharr ndërsa dy të tjerat në Gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren, drejtimi Matematikë-Teknikë. Në periudhën 1985-1990 me sukses të shkëlqyer përfundon Fakultetin e makinerisë, drejtimi Makineri – prodhimtari, në Universitetin e Prishtinës, ku fiton titullin Inxhinier i diplomuar i Makinerisë e njëherësh merr diplomën “Student i dalluar” i këtij Universiteti. Vlen të theksohet se krahas studimeve Fatoni për dy vite ka punuar edhe si gazetar në revistën studentore “Bota e re”.

Pas përfundimit në afat rekord të studimeve, një vit ka punuar si profesor i matematikës në gjimnazin “Emin Duraku” në Sharr.
Me ambicie për njohuri të reja në shkencë të cilat nuk i realizonte dot në vendlindje për shkak të të ardhurave të ulëta që realizonte si profesor, Fatoni vendos të merr rrugën e mërgimit dhe destinacioni i tij ishte Vjena ku fillimisht ka bërë punë nga më të ndryshmet dhe më të vështirat derisa arrin ta bëj nostrifikimin e diplomës dhe të punësohet në fushën për të cilën ishte shkolluar, përkatësisht si inxhinier në industrinë e veturave luksoze. Ka kryer edhe një mori specializimesh në fushën inxhinierike, kompjuterike e të gjuhëve të huaja, të gjitha këto në harkun kohor 1996-2006 në Vjenë të Austrisë.

Njëri nga inxhinierët shqiptarë me më shumë shpikje të patentuara!

Njohuritë e arritura gjatë shkollimit filloi t’i zbatonte me sukses në vendin e tij të punës ku iu krijuan mundësi edhe të bëjë dhjetëra zbulime të reja e të rëndësishme për industrinë automobilistike, disa nga të cilat ka arritur t’i patentojë!

Për rreth 15 vite sa ka punuar në industrinë automobilistike, Fatoni ka bërë shumë projekte për brendet më të njohura të automobilave si Mercedes, Audi, Porsche, Toyota, etj., të cilat ka arritur t’i patentojë ndërkombëtarisht, duke u bërë njëri nga inxhinierët shqiptarë me më shumë shpikje të patentuara!

Është inxhinieri i parë që ka arritur ta konstruktoj një mekanizëm i cili përpunon vrimën e motorit (që e mundëson shpejtësinë e sigurt deri mbi 330 km/h!). “Motori i veturave moderne ‘Porsche’ e ka një vrimë të shkallëzuar, në të cilën është i pozicionuar boshti i kollodokut (boshti ku lidhen manivelat e pistonave të motorit). Kjo vrimë, që përbëhet nga disa pjesë, ka saktësinë (tolerancën) aksiale e cilindrike nën 0,005 mm, pra nën 5 të mijtat e milimetrit (saktësi shumë e lartë shkaku i rrotullimeve të larta të motorit me mbi 6700 rrotullime në minutë). Për ta hapur dhe përpunuar këtë vrimë nuk mjaftonin kushinetat standarde e as ato speciale mekanike, ku do të vendosej vegla boshtore gdhendëse, shkaku i saktësisë së tyre të pamjaftueshme (mbi 0,005mm)”, shpjegon Fatoni duke shtuar se ky zbulim është patentuar dhe është e arritur e madhe, gati e pa imagjinuar në industrinë automobilistike! Fatoni thekson se për ta arritur këtë saktësi shkencore ishte sfidë e rëndë e shoqëruar me tensione të larta nervash, para se cilës gati se u patën dorëzuar stafi udhëheqës i “Porsche”-s. “Ngadhënjimi i kësaj sfide e përmirësoi ‘jetën’ e veturës së sotme moderne “Porsche” (çmimi i saj është mbi 250.000 euro). Një sfidë tjetër ishte edhe shuarja e dridhjeve të veglës, që i shkaktonte materiali jo i bollshëm në ato pjesë” sqaron më tutje Piraj.

Torta e ditëlindjes dhe një kitarë, dhuratë nga fëmijët

Është interesant fakti se rregullat e patentimit e ndalojnë për dhjetë vite bërjen publike të shpikjeve të patentuara dhe u desh të kalonte kjo periudhë kohore për ta njohur opinionin rreth tyre! Disa nga shpikjet e patentuara të inxhinier Fatonit që e kanë kaluar tashmë periudhën e “heshtjes” janë: 1. Pajisja për shndërrimin e lëngut në gas; 2. Njësia absorbuese; 3. Perdja e dritës me rregullim automatik; 4. Dërrasa e lëvizshme për ngjitje në derën e automjetit; 5. Prerësi dhe djegësi saldues; 6. Shtretërit hidraulikë të boshtit të kollodokut; dhe disa tjera që ende nuk e kanë kaluar stazhin e “heshtjes”. Ndërkaq ka realizuar edhe punime tjera si: Përzierësi vëllimor i çokolatës; Transporti me Shirita brenda sallës produktive të kompanisë së njohur “Billa Plus“; Kompresori i shkallëzuar p=800bar; Përpunimi invers i kokës së motorit “Toyota”; Saldimi me Laser gjatë rrotullimit në ambient të izoluar hermetikisht; e shumë të tjera të cilat nuk janë të patentuara.

Pas pesëmbëdhjetë vitesh pune në industrinë e automobilave luksozë, në muajin maj të këtij viti, Fatoni punësohet në kompaninë e njohur “Sonnek Gruppe, Vana Anlagenbau GmbH”, kompani kjo që merret me prodhimin e makinave automatike që prodhojnë ëmbëlsira industriale, çokolata, biskota, bombonë edhe Fontana e çokolatës së lëngshme për qëllime marketingu.

 

Krahas rezultateve të larta që ka arritur në profesionin e inxhinierit, Fatoni dallohet edhe në shumë fusha tjera si: letërsi, aktrim, këndim, enigmatikë, prova të inteligjencës, sporte të ndryshme, iu bie instrumenteve muzikore (violinës, kitarës…), dallohet në lojëra si Biliard, Bowling, etj.

Ndonëse më tepër se gjysmën e viteve të jetës (32) i ka kaluar në mërgim, Fatoni e flet dhe e shkruan rrjedhshëm gjuhën shqipe e krahas saj e flet edhe gjermanishten, frëngjishten, anglishten, polonishten dhe kroatishten!

Jeton në Bezirkun 11 në Vjenë, me bashkëshorten Gilimseren dhe fëmijët Fleten (21), Fiolen (18) e Learin (15 vjeç). Vajzat janë studente ndërsa djali gjimnazist.

Në përmbyllje të këtij shkrimi, inxhinier Fatonin e uroj për ditëlindjen e tij të 58-të duke i dëshiruar shëndet në radhë të parë, dhe suksese në punë dhe në jetë, me shpresën që në vitin e ardhshëm të na gëzojë edhe me ndonjë zbulim të ri shkencor!

Inxhinieri Faton Piraj me autorin e shkrimit
spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA