Kalo te përmbajtja
Të fundit

Investimet në vlerë 105 milionë euro në “Kosovën A”, vonohen deri vitin tjetër

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

Investimet në vlerë 105 milionë euro në “Kosovën A”, vonohen deri vitin tjetër

Raporti: Fatlum Jashari

Korporata Energjetike e Kosovës ende nuk e ka shpallur tenderin për investimet e planifikuara për këtë vit, në vlerë 105 milionë euro, për rehabilitimin dhe modernizimin e një njësie prodhuese të Termocentralit Kosova A.

Reklamë

“Plani është që të hapet shpallja e interesit. Kompanitë ose konsorcuimet të kenë një periudhë rreth dy-mujore ku mund të vizitojnë termocentralin, të marrin informacione teknike shtesë, të japin komentet e tyre, duke qenë se është një punë shumë e madhe dhe e ndërlikuar teknikisht dhe pastaj dokumentacioni i plotë i tenderit të lansohet pas kësaj periudhe”, tha minsitrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Përkundër këtyre paralajmërimeve, ATV-ja kuptoi se ende është kryer vlerësimi i gjendjes, e rrjedhimisht as vizitat nga palët eventualisht të interesuara.
Në Ministrinë e Ekonomisë nuk dhanë një përgjigje të re.

Ndërsa në KEK, muajin e kaluar, njoftuan se po përgatisin dokumentacionin.

“Korporata Energjetike e Kosovës ju njofton së aktualisht zyrtarët e korporatës janë duke finalizuar dokumentacionin e nevojshëm për inicim të procedurës për Rehabilitimin dhe Modernizimin e njësisë A3”, tha zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli.

Në këto rrethana, marrë parasysh procedurat, afatet dhe praktikat e prokurimit, Kosova rrezikon edhe një dimër pa investime në njësitë prodhuese, të vjetruara.

“Çdo vonesë, sigurisht, ndikon në sigurinë e furnizimit me energji, sepse bie besueshmëria e këtyre termocentraleve. Besueshmëri më e ulët do të thotë kapacitete të disponueshme më të ulëta gjatë vitit të ardhshëm”, tha Naim Bujupi, ekspert i energjisë.

Muaj më parë Ministria e Ekonomisë konfirmoi shtyrjen për vitin tjetër, të investimeve në termocentralin Kosova B, për reduktimin e ndotjes, nëpërmjet fondeve të BE-së në vlerë 38.5 milionë euro; si dhe për modernizimin e turbinave në vlerë 56 milionë euro, nëpërmjet kontratës me General Electric.

Ndalja e përkohshme e prodhimit për investime eventuale në dy njësi prodhuese, në dy termocentrale më 2025, sipas ekspertit të energjisë Naim Bujupi, mund të ndikojë në tarifat e energjisë në vitin pasues.

“Shkëmbimet me Shqipërinë nuk mund ta kompensojnë tërë këtë energji, tërë këtë kapacitet prodhues, dhe atëherë i bie se duhet të importohet nga tregu rajonal, sigurisht, me çmime më të larta… Gjithmonë importi është më i shtrenjtë se çmimi i energjisë që prodhohet në vend dhe ajo diferencë duhet të paguhet nga qytetarët e Kosovës”, tha Bujupi.

Zingjiri i vonesave pritet të prekë edhe njësinë e dytë prodhuese të Kosovës B, që sipas programit për zbatimin e Strategjisë së Energjisë, më 2025 do të duhej t’i nënshtrohej një rehabilitimi të thellë, në vlerë 88 milionë euro.

Reklamë