Përgatiti: Driton Sadiku
Brenda këtij objekti në Mitrovicë, deri para pak ditësh, ishin të sistemuar inspektorët sanitarë që mbulonin këtë rajon.
Por, rishtazi atyre u është kërkuar t’i lirojnë zyrat meqë aty ishin me qira.
Në zyrat e reja ku tash është vendosur Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, nuk janë pranuar, pasi inspektorati sanitar, tashmë i takon Ministrisë së Shëndetësie.
ATV-ja po ashtu kupton se ky dikaster Qeveritar, ka vendosur t’i largojë inspektorët nga zyrat regjionale sepse të gjithë duhet të sistemohen në qendër.
Pak a shumë kjo u konfirmua edhe nga vet Ministria e Shëndetësisë e cila përmes një përgjigje, njoftoi se inspektorati sanitar është vetëm qendror dhe jo rajonal.
“Nuk ka ndonjë refleksion ligjor që Inspektorati Sanitar të ketë inspektor komunal apo regjional, por vetëm inspektor të nivelit qendror. Projektligji për Inspektoratin Qendror Shëndetësor është aprovuar në mbledhjen e Qeverisë, dhe pas kalimit të këtij projektligji në Kuvendin e Republikës së Kosovës, do të definohen qartë dispozitat, numri i inspektorëve, detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, si dhe akomodimi i tyre. Mirëpo, aktualisht kjo çështje ka mbetur si historik, i cili duhet të menaxhohet deri në definimin e qartë me ligjin”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Shëndetësisë.
Por derisa ligji të bëhet i plotfuqishëm, nuk dihet se çfarë do të ndodhë me inspektorët në fjalë apo si do të menaxhohet situata.
Veçse mungesa eventuale e inspektimeve sanitare vlerësohet se krijon pasiguri në ushqimin që konsumohet rrjedhimisht ndikon edhe në shëndetin e qytetarëve.
Sidoqoftë, Ministria e Shëndetësisë, aktualisht paguan 20.700 euro qira në muaj, vetëm për objektin në të cilin ndodhën Inspektorati Sanitar, Shëndetësor dhe Farmaceutik.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: