Përgatiti: Benita Zeneli
Si zakonisht para anëtarëve të Komisionit për Ekonomi, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, erdhi me 3 përfaqësues. Por, gjatë mbledhjes së të martës, njëri prej tyre u bë i padëshiruar.
Pa mikrofon, gjatë mbledhjes së komisionit, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, dhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, u panë duke debatuar me këshilltarin e ministres Hajdari, Kushtrim Dakaj, i cili më pas u largua nga salla.
Për këtë reagoi Hajdari, sipas të cilës këshilltari i saj reagoi ndaj provokimeve që dy deputetët i bënë.
“A është e lejuar që unë të bullizohem nga deputetët që filluan me sharje më të ulëta, por a more ndonjë masë. Ka qenë bullizim i tërësishëm ndaj personalitetit tim nga deputeti Pal Lekaj dhe deputetja Bunjaku. Ai u indinjua më shumë kur nuk u përdor mikrofoni, por u përdorën fjalët që ky i dëgjoi më afër. Prandaj ishte një reagim i tillë”, tha Hajdari.
Shkaku i përplasjeve u bë çështja e inspektorëve komunalë që përmes projektligjit të ri, kompetenca për ta do të ketë niveli qendror.
Në komision, gjithashtu, u fol edhe për Projektligjin për mbrojtjen e konsumatorit.
Ndërkohë, në rend dite ishte edhe raportimi i ministres lidhur me realizimin e projekteve të ministrisë, për vitin 2023 dhe planet për 2024-tën.
Por, në mungesë të raportit, raportimi u shty për një mbledhje tjetër.
Ndërsa gjatë largimit të ministres nga salla, përplasjet rreth këshilltarit të saj me anëtarët e komisionit vazhduan.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: