Tërheqja nga Kontrata Kolektive në mënyrë të njëanshme dhe pa paralajmërim nga Qeveria aktuale e Kosovës, me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe Federatës së Shëndetësisë, përbëjnë cenim të të drejtave sociale të garantuara me legjislacionin në fuqi në Kosovë dhe sipas standardeve të Organizatës Ndërkombëtare të Punës.
Kështu u tha gjatë prezantimit të publikimit të raportit “Mungesa e kontratave kolektive- Dështimi për të siguruar dialog social dhe mbrojtje kolektive të punëtorëve” nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) së bashku me BSPK-në dhe SBASHK-u.
Hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj ka thënë se kjo gjendje pengon ndjeshëm sigurinë dhe drejtësinë sociale në vend dhe dialogun social. Ai ka paralajmëruar edhe padi ndaj Ministrisë së Financave.
Duke kritikuar Qeverinë Kurti, ai është shprehur se cak i sulmeve të vazhdueshme të kryeministrit Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati janë sindikatat dhe përfaqësuesit e tyre.
“Sindikatat dhe përfaqësuesit e tyre ishin cak i sulmeve të vazhdueshme të kryeministrit Kurti, ministrit Murati dhe eksponentëve të tjerë të partisë në pushtet…3:41Tërheqja nga Kontrata Kolektive në mënyrë të njëanshme dhe pa paralajmërim nga MASHT-i, me kontratën që kishin me SBAShK-un dhe në anën tjetër tërheqja nga Kontrata Kolektive në mes të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Federatës së Shëndetësisë, përbëjnë cenim të të drejtave sociale të garantuara me legjislacionin në fuqi në Kosovë dhe sipas standardeve të Organizatës Ndërkombëtare të Punës.. 8:19 Ne do të shtrojmë padi kundër Ministrisë së Financave”, ka thënë Jakaj.
Ndërsa, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli theksoi se si BSPK, kanë dërguar rreth 50 komunikata Qeverisë Kurti, për dialog social dhe konstituim të Këshillit Ekonomiko Social, por siç tha ai ‘pa sukses’.
“Shumicën e mjeteve që i kemi përdorur në forma sindikale është edhe forma e komunikatave që brenda një kohe shumë të shkurtër kemi bë diku 50 komunikata, njëfarë forme me i bë presion Qeverisë që të kemi dialog social dhe të kemi konstituim të Këshillit Ekonomiko- Social. Është një dështim shumë i madh i institucioneve tona, dhe do të kërkohet përgjegjësi e madhe”, ka shtuar Hykolli.
Po ashtu, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj konsideron se Qeveria Kurti me qëllim ka një qasje armiqësore ndaj sindikatave.
“Konsideroj Qeveria Kurti me qëllim ka një qasje tepër të gabuar ndaj dialogut social dhe ka një qasje që i merr përmasat edhe armiqësore ndaj sindikatave, veçmas kur ato i sheh si të forta. Hekuran Murati, me veprimet e tij, barrikadave të bëra, me ngërçin e krijuar në mënyrë artificiale, me Këshillin Ekonomik Social, duke e bllokuar në tërësi funksionimin e tij, ka dëshmuar se është kundër dialogut dhe kundër sindikatave”, ka theksuar ai.
Hulumtuesi tjetër i IKD-së, Gzim Shala ka kërkuar që kërkesat sindikale të dëgjohen dhe dialogohen nga ana e Qeverisë së Kosovës. /kp