Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se debati për ndarjen e 13 milionëve për komuna nga ana e Qeverisë, ka qenë i panevojshëm.
“Këto mjete për të cilat është diskutuar shumë, po më duket kanë qenë diku në afër të 13 milionë, që kur t’i pjesëtojsh për komuna nuk është që kishim përfitu ku me ditë sa. Është evidente ajo domethënë ai hulumtim që u bë dhe ajo pasqyrë, po megjithatë kudo që investohet, investohet në komunat e Republikës së Kosovës dhe tash këto mjete që i ndan Qeveria në këtë formë, këtu duhet të dedikoheshim për projekte nacionale, për rrugë regjionale, për rrugë nacionale, për projekte të mëdhaja. Por, kur ato projekte nuk i ka ose nuk i realizon, mandej pak e lëshon dorën dhe iu jep komunave. Me përkthy në terma real, i bie që këto nuk na i kanë borxh komunave, domethënë, munden me na jep, munden mos me na jep”, tha Idrizi.
Ai thotë se më relevante ka qenë të diskutohet për kontratën kolektive, e cila sipas tij, i ka dëmtuar shumë komunat.
“Nuk i ka dëmtu mos dhënia e këtyre 13 milionëve me i përpjesëtu për kokë banori e tjerë, por kontrata kolektive, sepse kontrata prodhon efekte juridike, prodhon obligime dhe ato obligime u dashtë me i marrë me i marrë ministria, jo me ua gjuajt komunave, se vërtet na kanë dëmtue. Na ia kemi arritë këtë vit me i pague, deri dje i kemi pagu 2 milionë e 400 mijë euro”, tha Idrizi. /atvlive.tv
Intervistën e tij të plotë në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:






