PËRGATITI: FATLUM JASHARI
Për shkak të sasisë së energjisë në formë obligimi për kthim, që e kishte marrë gjatë dimrit nga Shqipëria, Kosova këtë vit ka nisur me vonesë depozitat për dimër. Edhe pse është ende fillimi i sezonit kur Shqipëria ka nevojë për më shumë energji, sasia e depozitave nuk ka arritur as 10% të sasisë së përgjithshme, krahasuar me vitin e kaluar.
Kthimi i energjisë që Kosova e kishte marrë gjatë dimrit nga Shqipëria, nëpërmjet marrëveshjes për shkëmbime, pritet të ndikojë që sasia e depozitave këtë vit të jetë dukshëm me e ulët – sesa vitin e kaluar.
Si shkak i nevojës për import, dimrin që shkoi, Kosova harxhoi depozitat dhe u fut në obligime për kthim të energjisë ndaj Shqipërisë.
“Gjatë vitit 2022, KEK-u ka depozituar në KESH 226,330 MW. Ndërsa, ka pranuar nga KESH-i sasinë prej 135,965 MW. Gjatë muajve të dimrit kur në Kosovë konsumi ka shënuar ngritje, diferenca nga viti 2022 i është kthyer KEK-ut, si dhe KESH-i ka depozituar sasinë prej 91.094 MW”.
Pas kthimit të obligimeve, tashmë ka nisur depozitimi i energjisë në Shqipëri, që deri tani nuk arrin as 10% të vlerës së përgjithshme, krahasuar me vitin e kaluar.
“Tani kur Shqipëria ka nevojë, KEK-u ka filluar të depozitojë energji elektrike drejt KESH-it dhe deri më tani ka depozituar sasinë prej 21,714 MW dhe do të vazhdojë të depozitojë sa herë që ka teprica dhe KESH-i ka nevojë. Keni parasysh se shifrat e paraqitura janë dinamike dhe mund të ndryshojnë nga dita në ditë, posaçërisht tani në muajt e verës kur në Shqipëri konsumi shënon ngritje”.
Me sasinë aktuale të depozitave dhe me trendin aktual, pritet që Kosova të hyjë në dimër me ndjeshëm, më pak rezerva të energjisë dhe pa kapacitete të reja prodhuese të energjisë.
Me sasinë e depozituar në Shqipëri vitin e kaluar, të shfrytëzuar gjatë muajve të dimrit, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në raportimin e saj në Kuvend kishte thënë se janë kursyer rreth 50 milionë euro import.
Sipas marrëveshjes për shkëmbime energjetike, KEK-u dhe KESH-i ofrojnë ose pranojnë energji, vetëm kur njëra ka teprica dhe tjetra nevojë – dhe anasjelltas.