Hoxha e quan “morale” dorëheqjen nga pozita e drejtorit të Policisë

Në këtë artikull
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje më 30 tetor, pesë ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt – rast që nxiti protesta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale.
I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse veprimi i tij lidhet me trajtimin institucional të këtij rasti, Hoxha tha se “lidhet me dorëheqje morale”.
Reklamë
Megjithatë, ai nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse me këtë nënkupton se ndien përgjegjësi për lëshimet institucionale në trajtimin e rastit.
Më herët gjatë ditës, Zyra e Kryeministrit njoftoi se Albin Kurti kishte pranuar dorëheqjen e Hoxhës dhe e kishte liruar atë nga detyra.
Me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryeministri Kurti caktoi Fehmi Hotin ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon kontributin dhe angazhimin e z. Hoxha përgjatë mandatit të tij”, u tha në njoftim.
Qeveria nuk dha arsye për dorëheqjen e Hoxhës.
Largimi i tij vjen në kohën kur institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë po përballen me kritika për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj.
Një ditë para dorëheqjes së Hoxhës, Policia e Kosovës pezulloi nga detyra 11 zyrtarë policorë në lidhje me trajtimin e këtij rasti.
Në mesin e të pezulluarve janë: ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i hetimeve rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i stacionit policor, drejtues të tjerë policorë dhe katër hetues.
Masa u ndërmorën edhe në sistemin prokurorial.
Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurorja që kishte trajtuar rastin, Arlinda Nallbani Gacaferri, u pezulluan nga detyra.
Vrasja e Zekajt, 49 vjeçe, nxiti protesta në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës, ku qytetarët kërkuan drejtësi për viktimën dhe përgjegjësi nga institucionet që e kanë trajtuar rastin.
Kush është Gazmend Hoxha?
Gazmend Hoxha ishte emëruar drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës më 8 mars 2023, pas propozimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai e mori zyrtarisht detyrën më 13 mars të atij viti, duke pasuar Fehmi Hotin, i cili kishte udhëhequr Policinë si ushtrues detyre.
Hoxha iu bashkua Policisë së Kosovës në vitin 2000 dhe gjatë karrierës mbajti disa pozita drejtuese, përfshirë atë të kreut të Departamentit kundër Krimit të Organizuar, drejtorit të Divizionit të Sigurisë Publike dhe drejtorit të Departamentit të Operacioneve.
Sipas biografisë së tij zyrtare, Hoxha ishte përfshirë në drejtimin dhe planifikimin e disa operacioneve policore, përfshirë ato për zbatimin e vendimeve për targat e automjeteve, mbylljen e rrugëve ilegale dhe luftimin e aktiviteteve të paligjshme në Kosovë.
Hoxha largohet nga drejtimi i Policisë pas më shumë se tre vjetësh e gjysmë në këtë pozitë.
Reklamë











