​Hoti flet për Deklaratën për të Zhdukurit: Nuk ekziston term ‘personat e zhdukur me dhunë’

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti deklaroi se Projektligji për Personat e Zhdukur është afër finalizimit, por nuk kanë arritur dakordim për të involvuar kërkesat e familjarëve të personave të zhdukur.

Para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, ai foli edhe për termin ‘personat e zhdukur me forcë’ në kuadër të deklaratës për të zhdukurit. Për këtë janë përplasur edhe deputetët e pozitës dhe opozitës.

Më tej, ai tha se Serbia është pajtuar për qasje në dokumentacione, megjithatë nuk e din nëse një gjë e tillë do të ndodhë.

Kryetari Hoti tha se termi i vendosur në deklaratën e personave të zhdukur ka qëllim trajtimin e dinjitetshëm të tyre.

“Termi ‘personat e zhdukur me forcë’ nuk ka ekzistuar askund. Nuk po them që nuk e kemi ditur se çfarë është, por nuk ka ekzistuar askund. Termin ‘personat e zhdukur me forcë’ e kemi futur në deklaratën e përbashkët të Brukselit. Ky term është refuzuar prej Serbisë prej shtatorit 2021 deri në prill kur e kemi pasur takimin e fundit, për shkak se Serbia u frikësonte se përmes këtij termi ne do të kërkojmë përgjegjësi juridike dhe do të akuzojmë direkt për krimet e luftës që i ka bërë, që në fakt i ka bërë. Megjithatë, në fund në takimin në Bruksel dhe jemi pajtuar që termi ‘personat e zhdukur me forcë’ të përdoret në këtë deklaratë dhe çështja tjetër ka qenë bujë prapë në media-personat e zhdukur me forcë apo me dhunë. Nuk ekziston term ‘personat e zhdukur me dhunë’ në gjuhën angleze, në asnjë prej dokumenteve zyrtare. Personat e zhdukur me forcë apo forcibly disappeared që për ekspertët apo juristët është term dhe sinonim i njëra-tjetrës”, deklaroi Hoti.

Tutje, Hoti ka thënë se edhe në Gjykatën Evropiane të Njeriut përdoret termi ‘personat e zhdukur me forcë’.

Sipas tij, në sekonda të fundit në takimin e Ohrit kanë arritur ta fusin në aneks marrëveshje, çështjen e personave të zhdukur.

“Ne kemi arritur që Bashkimin Evropian ta bëjmë direkte pjesë të çështjes së personave të zhdukur. Deri tash nuk ka qenë direkt e involvuar në çështjen e personave të zhdukur. Tash do të themelojmë komisionin e përbashkët, e cila do të udhëhiqet prej BE-së, ajo do të jetë bashkë me ne në këtë proces. Ne veç kemi pranuar draftin e formimit të komisionit të përbashkët, i cili natyrisht duhet të bëhet publik nga zotëri Lajçak dhe zotëri Borrel, pas harmonizimit të saj. Parashihet që brenda 60 ditëve pas aprovimit të deklaratës, pas 2 majit, do të formohet komisioni i përbashkët, do të mbahet mbledhja e parë dhe do të fillojë puna jonë në fazën e implementimit të deklaratës”, tha ai.

Me deklaratën për personat e zhdukur, siç tha Hoti, Serbia është pajtuar për qasje në të gjitha dokumentacionet, përfshirë edhe ato sekrete të klasifikuara. Megjithatë, shtoi se ka arsye të mjaftueshme që të mos i besojë Serbisë.

Hoti: Me deklaratën për personat e zhdukur, Serbia është pajtuar për qasje në dokumentacione
(Video)
“Me këtë deklaratë, ata veç janë pajtuar që të qasen në të gjitha dokumentacionet, çfarëdo lloj dokumentacioni, audio, video, të shkruar. Duke i përfshirë edhe ato sekrete, të klasifikuara. Se sa do të zbatohet kjo, natyrisht nuk varet më prej meje. Mirëpo ne e kemi tashmë në deklaratë”, ka shtuar ai.

Kryetari i Komisionit Qeveritar ka shtuar se kanë arritur të harmonizojnë të dhënat përgjatë viteve. Tutje, deklaroi se është në finalizim Ligji për Personat e Zhdukur.

“Ligji për Personat e Zhdukur është në plotësim-ndryshim që shumë vite, është shumë e vërtetë që është shumë e dhimbshme. Ne jemi afër finalizimit të tij, mirëpo nuk kemi arritur që të gjejmë një pajtueshmëri, një dakordim për të involvuar kërkesat e familjarëve të personave të zhdukur”, deklaroi Hoti.

Çështja e deklaratës për personat e zhdukur dhe termit të vendosur ka përplasur deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Deputetja Ariana Musliu-Shoshi tha se në komision do të duhej të raportonte zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, i cili sipas saj, ka bërë pazare.

“Është dashur që Besnik Bislimi të jetë në këtë tavolinë, sepse ai është personi që është i ngarkuar nga qeveria që të bëjë pazare me Brukselin dhe me palët tjera. Prandaj, për të gjitha ato që i ka negociuar dhe po i mban të fshehura, është dashur që të jetë sot këtu dhe të raportojë për atë çfarë ne kemi kërkuar”, tha Musliu-Shoshi.

Më pas ka reaguar deputetja e shumicës, Fatmire Kollçaku Mullhaxha, e cila kërkoi që të flasin me rend.

Kollçaku-Mullhaxha: Të lutna mos i përsërit fjalët 100 herë.

Musliu-Shoshi: E di që po ju dhemb se ju ishit kundër Besnik Bislimit.

Kollçaku-Mullhaxha: Të lutem mos na i humb kohën të gjithë këta deputetë.

Musliu-Shoshi: Kërkoj prej deputetëve të LVV-së të mbajnë tensionin e ulët, të gjithë kemi të drejtë me fol në këtë kuvend, e kemi të drejtë ligjore”, kanë thënë ato.

Diskutimi ka shkuar edhe më tej kur Musliu-Shoshi u është drejtuar “me tru shpërlarë”, deputeteve të LVV-së.

“Kryetare e ke obligim që deputetes me ia tërheq vërejtjen. Kush është tru-shpërlarë këtu. Ne duhet me u ngrit prej komisionit, kur deputetja përdor ‘tru-shpërlarë’. Ose ta tërheq fjalën ose ne po dalim prej komisionit”, deklaroi deputetja e LVV-së.

Në takimin e 2 majit në Bruksel, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq miratuan deklaratën për të zhdukurit. /KP

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA