Përgatiti: Nora Luta
Në shtatë ka arritur numri i të arrestuarve në rastin Albkings.
Më 23 maj, Prokuroria e Prishtinës thotë se ka arritur të arrestojë administratorin kryesor të grupit, i cili dyshohet për vjedhje të identitetit dhe kredencialeve në bashkëkryerje.
Prokuroria, të enjten, njoftoi se grupi është mbyllur përfundimisht, pasi ishte hapur dy herë tjera.
Në kuadër të hetimeve u përdorën edhe masa të fshehta të vëzhgimit.
“Në kuadër të hetimeve, kemi lëshuar masat e fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit, si dhe kemi ndërmarrë disa veprime të tjera hetimore, me ç’rast këto kanë rezultuar me identifikimin e personit të parë të dyshuar dhe arrestimin e tij. Më datë 16 prill është lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit E.N., njëri prej administratorëve të këtij grupi”, tha prokurorja e rastit, Erza Bajrami – Kastrati.
Për rastin, që shkaktoi pasiguri te qytetarët, në konferencën për media u paraqit edhe kryeprokurori Zejnullah Gashi.
Teksa tha se hetimet janë duke vazhduar dhe po zgjerohen edhe në drejtim të personave të tjerë, kërkoi mirëkuptim nga gazetarët për mosparashtrim të pyetjeve.
“Andaj, falë bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët e Republikës së Kosovës kemi arritur që këtë rast delikat, sa i përket identifikimit të kryerësve të veprës penale, kemi arritur t’i arrestojmë brenda një afati të shkurtër kohor dhe ky rast si i tillë, target i së cilës kanë qenë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke cenuar rëndë integritetin moral të tyre, sa i përket shpërndarjes së fotografive, video-incizimeve intime të cilat kanë krijuar pasiguri te qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Gashi.
I dyshuari i parë i arrestuar lidhur me këtë rast është Edin Nevzadi, i cili që nga prilli është në paraburgim.
Sipas dosjes së Prokurorisë, ai vazhdimisht nga muaji nëntor i vitit 2023 e deri më 12 shkurt 2024, në Obiliq dhe qytete të tjera të ndryshme të Kosovës, në cilësi të njërit nga administratorët e grupit “Albkings”, në aplikacionin Telegram, e duke vepruar në bashkëkryerje, ka ofruar dhe shpërndarë fotografi intime dhe ua merrte identitetet qytetarëve të Kosovës.