Hetimet për vdekjen e sulmuesit spanjoll, policia po shqyrton rrethanat e përplasjes me portierin

Policia Kombëtare e Spanjës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së sulmuesit të Tenerifes, Jesus de Miguel, i cili ndërroi jetë të martën, pas një përplasjeje të rëndë me portierin e Andorrës, Jesus Owono.
Sipas raportimeve të mediumit spanjoll “Marca”, rasti tashmë është në duart e autoriteteve gjyqësore, ndërsa hetuesit po përpiqen të rindërtojnë ngjarjen dhe të përcaktojnë saktësisht se çfarë ndodhi gjatë aksionit që përfundoi në mënyrë tragjike.
Reklamë
Ngjarja ndodhi në minutën e fundit të ndeshjes së kategorisë së dytë spanjolle, kur De Miguel tentoi të arrinte një top të gjatë, por në atë moment u përplas me portierin e Andorrës. Pas ndërhyrjes, Owono u ndëshkua me karton të kuq direkt.
Pas përplasjes, De Miguel pësoi arrest kardiak dhe u transportua me urgjencë në Spitalin Nuestra Señora de Candelaria, ku u vendos në kujdes intensiv.
Megjithatë, pavarësisht trajtimit mjekësor, sulmuesi nuk arriti t’u mbijetonte pasojave të ngjarjes dhe vdiq të martën, në orën 08:00 të mëngjesit, në moshën 30-vjeçare.
Ndërkohë, hetimet do të përqendrohen në zbardhjen e plotë të rrethanave të përplasjes dhe në përcaktimin nëse ekziston përgjegjësi ligjore për atë që ndodhi.
Sipas Kodit Penal të Spanjës, vrasja nga pakujdesia e rëndë mund të dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.
Reklamë







