E propozuara nga Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, është deklaruar para fillimit të seancës së 52-të konstituive.
Ajo ka komentuar masën e përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas saj, edhe pse PDK dhe LDK e kishin dërguar çështjen në Kushtetuese, ato nuk kishin kërkuar masë të përkohshme. Megjithatë, Haxhiu theksoi se vendimi i Gjykatës është në përputhje me aktgjykimin e mëparshëm, i cili përcakton se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga seanca e parë.
“Duhet pasur parasysh se as PDK-ja e LDK-ja nuk kishin kërkuar masë të përkohshme, pra edhe përkundër faktit që e kishin dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese, nuk kishin kërkuar masë të përkohshme, megjithatë duke pasur parasysh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, pra këtë të fundit, gjykata siç e dini, seanca konstituive duhet të ndodh, pra Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit 30-ditor, dhe është e natyrshme, është normale që në këto rrethana kur nesër kemi ditën e fundit, Gjykata të marr masën e përkohshme, dhe jo pse këtë ia ka kërkuar PDK-ja dhe LDK-ja”, tha ajo.
Haxhiu paralajmëroi se në mungesë të reflektimit nga subjektet politike, zgjidhja e vetme do të mbeten zgjedhjet.
“E vetmja zgjidhje do të jenë zgjedhjet,” ka deklaruar ajo.