Përgatiti: Pranvera Krasniqi
As drafti e as plani i veprimit për Menaxhimin e Rrezikut nga Vërshimet, nuk u publikua, të paktën deri të hënën.
Madje, as pas reshjeve të së dielës në disa komuna, ministria nuk ktheu përgjigje për ATV-në, përse Harta e Rrezikshmërisë nuk është përfunduar deri tash.
Ky projekt që kushton rreth 2.5 milionë euro, po konsiderohet shumë i nevojshëm nga gjeografët, për një varg arsyesh.
“Në secilin vend egziston kjo lloj harte, ish dash të përfundonte kohë më parë, aty do kishin qenë të paraqitura zonat ku vërshimet mund të jenë më dominonte…”, tha Faruk Foniqi nga Instituti për Studime Urbane dhe Planifikim Hapësinor.
Sipas Foniqit, me hartën e rrezikshmërisë, nuk do të parandaloheshin tërësisht dëmet e vërshimeve, por do të kishte menaxhim më adekuat.
“Ndryshimet klimatike nganjëherë mund të vijnë edhe befas por kur kemi një plan para vetës me parashikime, situata mund të menaxhohet për një përqindje të madhe më mirë, e mos të ketë dëme si këto të fundit…”, tha Foniqi.
Kritika ka edhe ambientalisti, Alban Hyseni.
“Ata kanë vetëm fjalë, premtimet në majë të gjyhës e puna askund hiq, qershorin vetëm e kanë përmendur kotë, përsëri ju e pat ju e pat çfarë rrëbeshes pat, sa dëmet…”, tha Hyseni.
Nga përmbytjet e qershorit të vitit 2023, një grua dhe djali i saj 5 vjeç, kishin humbur jetën në Pejë.
Ndërsa, dëme nga përmbytjet, në vlerë milionëshe, viteve të fundit ishin shkaktuar edhe në Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Istog e Klinë.