Republika e Kosovës për herë të tetë do të marrë pjesë në Ekspozitën e 60-të Ndërkombëtare të Artit – Bienalen e Venedikut me një projekt të artistes Doruntina Kastrati të titulluar “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” të kuruar nga Erëmirë Krasniqi dhe me komisionere Hana Halilaj, raporton EO.
Në projektin e saj për pavijonin e ardhshëm të Kosovës, artistja ka propozuar një instalacion skulpturor. Siç ceket në aplikimin e saj, pavijoni do të trajtojë punën e feminizuar, pabarazitë në vendin e punës. Projekti niset nga konteksti lokal dhe shikon nga afër tranzicionet ekonomike dhe politike dhe se si ato kanë prekur grupet më të cenueshme.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, tha se përzgjedhja është bërë nga një juri profesionale vendore e ndërkombëtare.
“Më 18 prill të këtij viti hapen dyert e Pavijonit të Kosovës për adhuruesit e artit për të parë përfaqësimin artistik të vendit tone një nga ngjarjet të nivelit më të lartë botërorë. Ministria e Kulturës tash e dy vite bën përzgjedhjen e artistit përfaqësues të Republikës së Kosovës. Ndjek një praktik ndryshe përzgjedhja në këtë Bienale behet përmes një jurie profesionale e artistike të përberë prej profesionit vendor edhe ndërkombëtar dhe me aplikim vullnetar të artisteve me projektet dhe vullnetin e tyre. Besojmë fortë që kjo praktik është e shëndosh, ofron mundësi të barabarta për të gjithë artistët që kanë potencial dhe interesim”, tha Çeku.
“Anëtaret e jurisë profesionalë kanë zgjedhur unanimisht projektin e artistes Doruntina Kastrati me titull ‘Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës’. Ky përfaqësim në republikën tonë është shumë i rëndësishëm për diplomacinë kulturore dhe publike”, tha tutje Çeku.