Sevdije Krasniqi, bashkëshortja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një intervistë për VOX Kosova ka thënë se nuk është aspak e kënaqur me mbështetjen e institucioneve të Kosovës për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen për krime lufte në Hagë.
“Me të tregu të drejtën, nuk jam aspak e kënaqur. Jo. Populli i Kosovës, shteti i Kosovës, është dashur të jetë në këmbë. Për të gjitha këto vite është dashur të jetë në këmbë, është dashur të jetë në Hagë, është dashur të kujdeset për ata. Ne kemi pasur probleme, peripeci shumë të mëdha për të shkuar në vizita. Institucionet e Kosovës nuk kanë bërë, të them, asgjë”, tha Krasniqi.
Ndërsa kërkesën e Prokurorisë për 180 vjet burgim për ish-krerët e UÇK-së, ajo e ka quajtur absurde, meqë sipas saj, të akuzuarit e kanë mbrojtur popullin nga gjenocidi.
“Kërkesa e Prokurorisë për dënim prej 180 vjetësh burg për të arrestuarit është një kërkesë absurde, që nuk e di a do të kërkohej për ata që janë burgosur për krimet që i kanë bërë të tjerët. E lëre më për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vend që ata të thirreshin nga Bashkimi Evropian, nga Evropa, nga Këshilli i Evropës për të marrë dekorata për luftën që e kanë bërë, se e kanë shpëtuar një popull nga gjenocidi dhe lufta që është bërë në Kosovë, ata propozojnë që të akuzuarit të dënohen me 180 vjet burg”, shtoi.
Ajo ka ftuar të gjithë shqiptarët që të marrin pjesë në protestën kundër Gjykatës Speciale, e cila do të mbahet të martën, më 17 shkurt, në Prishtinë.
“Mesazhi im është që i gjithë populli i Kosovës, të gjithë liridashësit, të gjithë ata që mund të vijnë këtu, të jenë në Kosovë. Nga të gjitha trojet shqiptare të vijnë e të marrin pjesë në protestë dhe t’i tregojmë botës se ata janë çlirimtarë. Ata e çliruan popullin dhe e çliruan Kosovën. Nuk janë ata kriminelë, por janë çlirimtarë që duhet të kthehen në Kosovë të lirë”, potencoi Krasniqi.






