Sindikata e Punëtorëve të Kompanisë “Pastrimi” ka njoftuar se kamionët që ishin parkuar pranë objektit të Komunës së Prishtinës do të largohen, ndërsa greva do të vazhdojë.
Ata kanë përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme, sipas të cilit, faturat për shërbimet e mbeturinave duhet të paguhen drejtpërdrejt kompanisë “Pastrimi” dhe jo përmes operatorëve privatë. Sindikata po kërkon që Komuna t’i kthej sa më parë mjetet e inkasuara.
Pas aktgjykimit të Supremes, sindikalistët kanë paraqitur një sërë kërkesash drejtuar Komunës së Prishtinës, që përfshijnë:
“Të kthehen të gjitha mjetet financiare të inkasuara në mënyrë të paligjshme deri më tani nga Komuna e Prishtinës, në afatin sa më të shpejt që ne të fillojmë mbledhjen e mbeturinave.
Të bëhet një dalje publike në media nga autoritetet përkatëse të Komunës, të bëhet thirrje se faturimi dhe pagesat duhet të kryhen ekskluzivisht përmes KRM Pastrimi.
Të largohen plotësisht operatorët privat nga operimi i mbledhjes së mbeturinave dhe të fillojë zbatimi i plotë i rregullores në fuqi.
Të ndalet çdo keqinterpretim nga ana e autoriteteve të komunës, pasi çdo veprim jashtë Aktgjykimit është i jashtëligjshëm dhe cenon të drejtat e 900 punëtorëve, të cilët rrezikojnë të mbesin pa punë.
Të ketë një qasje më konstruktive dhe bashkëpunuese në të ardhmen, duke garantuar që Sindikata të jetë e informuar dhe e përfshirë në të gjitha vendimet që ndikojnë në të drejtat e punëtorëve.”