Bakllavatë i kanë bërë gati.
Tani po merren me detajet e fundit të ëmbëlsirave për festën e Fitër Bajramit.
Ndonëse janë të privuara nga liria, atmosfera festive nuk mungon as për gratë e vajzat në Qendrën Korrektuese të Lipjanit.
“Nuk na lejohet të qëndrojmë shumë bashkë, por na kanë lejuar që shoqen që e kemi dashtë na, me sjellë në dhomë, kemi festuar deri vonë, kemi pasë kantinë dhe gjërat e tjera të nevojshme. Mungesën për festë, për gjithçka, e kemi pasë në rregull, për Vitin e Ri kemi përgatitë tortë, për Bajram do të përgatisim edhe tambëloriz, për të gjithë të burgosurit. Është me të vërtetë vështirë, por jemi duke u munduar që edhe të tjerët të mos e ndiejnë mungesën e shtëpisë, pra sadopak të vijë era bakllavë”, thotw njw e burgosur.
Mungesa e familjes ua zbeh gëzimin e kësaj feste.
“Shumë e vështirë, larg familjes, larg gjirit familjar, e çka është e vështirë për mua, këtë vit është hera e parë që jam këtu dhe e kam vështirë, por jam munduar me punë ta largoj stresin. Na mundësojnë me folë në Skype, që të kemi vizitë, unë e kam në Shkup, pak larg, nuk kemi ndalesë për asgjë”, thotw njw e burgosur tjetwr.
Drejtori i kësaj qendre tregon se brenda rregullave të caktuara krijojnë mundësi për të burgosurat që të përgatisin ushqime të ndryshme me rastin e festave.
“Pra ne gjatë ditëve me festa përpiqemi që t’ua lehtësojmë këto ditë për shkak se këto janë më të ndjeshme dhe kryesisht ushqimi është më i veçantë dhe menyja, pra të burgosurat që janë të punësuara në kuzhinë dhe në furrë, ua mundësojmë të përgatisim ëmbëlsira”, tha drejtori i Qendrës Korrektuese për Gra në Lipjan, Dritan Bajramaj.
Aktualisht, në këtë Qendër janë të burgosura 34 gra. Krahas punës në kuzhinë, ato gjatë kohës sa vuajnë dënimin angazhohen edhe në zanate të tjera. /atvlive.tv