Nick Kyrgios është përballur me një goditje të rëndë, pasi tenisti australian është pezulluar përkohësisht pas rezultatit pozitiv në një test antidoping për kokainë.
Agjencia Ndërkombëtare e Integritetit të Tenisit (ITIA) ka konfirmuar se mostra e dhënë nga Kyrgios më 22 qershor, gjatë turneut të Mallorcas, përmbante benzoilekgoninë, një metabolit të kokainës.
Sipas BBC, 31-vjeçari është nën pezullim të përkohshëm që nga 4 gushti, çka e ka lënë atë jashtë aktiviteteve të organizuara nga ATP dhe WTA.
Vetë Kyrgios ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke pranuar shkeljen dhe duke kërkuar falje për atë që e cilësoi si një “gabim shumë të madh”.
“Doja që këtë ta dëgjonit fillimisht nga unë. Së fundmi, dështova në një test antidoping në Mallorca, pasi rezultova pozitiv për kokainë. Kam bërë një gabim shumë të madh dhe marr përgjegjësi të plotë për të”, ka shkruar australiani.
Kyrgios u ka kërkuar falje tifozëve, familjes, sponsorëve dhe veçanërisht fëmijëve që e ndjekin, duke pranuar se është thellësisht i zhgënjyer me veten.
Pezullimi i përkohshëm nënkupton se tenisti nuk mund të garojë, të punojë si trajner apo të marrë pjesë në turnetë Grand Slam dhe në garat e tjera të zhvilluara nën autoritetin e ATP dhe WTA.
ITIA ka bërë të ditur se Kyrgios ka të drejtë ta apelojë vendimin. Deri tani, australiani nuk e ka ushtruar këtë të drejtë.
Tashmë mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi përfundimtar dhe sa do të ndikojë kjo çështje në të ardhmen e karrierës së tenistit kontrovers australian.





