Kolegji AAB

Gjykimi për kanosje në objektin e Qeverisë, i dëmtuari thotë se ishte kanosur gjatë një takimi zyrtar

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj të akuzuarit për kanosje Isa Hajdari- drejtor i Zyrës së Prokurimit në Zyrën e Kryeministrit, të martën u dëgjua i dëmtuari-dëshmitari Flamur Salihu, ish-drejtor i Zyrës për Komunikim me Publikun në Zyrën e Kryeministrit. Salihu deklaroi se rasti kishte ndodhur në zyrën e Sekretarit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë një takimi zyrtar dhe ndër fjalët e adresuara ndaj tij ishin edhe “Kur del jashtë ki me pas problem me mu”.

Në fjalë hyrëse, prokurori Malart Kuçi deklaroi se konsideron që në këtë çështje penale ka prova të mjaftueshme me anë të së cilave do vërtetohet gjendja faktike, duke propozuar që Gjykata të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Edhe i dëmtuari Flamur Salihu deklaroi se mbështet fjalën e prokurorit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Isa Hajdari, avokait Hajzer Salihu, deklaroi se përmes provave nuk vërtetohet se i mbrojturi i tij ka kanosur të dëmtuarin, duke shtuar se i gjithë dispozitivi dhe arsyetimi i aktakuzës mbështeten vetëm në deklaratën e të dëmtuarit.

Avokati Salihu i propozoi Gjykatës të nxjerrë aktgjykim lirues në mungesë të provave.

Më pas, vazhdoi me dhënien e dëshmisë i dëmtuari Salihu, i cili deklaroi se rasti kishte ndodhur gjatë një takimi zyrtar me të pandehurin në zyrën e Sekretarit të Zyrës së Kryeministrit lidhur me problemet në menaxhimin e ueb-faqes zyrtare nga operatori ekonomik.

Ai tha se i akuzuari kishte hezituar të ndërmarrë masa ndaj operatorit ekonomik, dhe sipas tij për këtë çështje kishte lindur mosmarrëveshja dhe kërcënimi.

Sipas tij, i akuzuari kishte pasur qasje të papërshtatshme ndaj tij gjatë mbledhjes, duke iu adresuar me “Shihemi mas ktuhit” dhe “Kur del jasht ki me pas problem me mu, nuk kom çka diskutoj ktu me ty”.

I dëmtuari tha se kishte kërkuar nga sekretari t’i menaxhojë këto raste, dhe se Sekretari kishte filluar të komunikojë me të akuzuarin, por pastaj ky i fundit ishte larguar nga zyra.

Gjithashtu, i dëmtuari Salihu deklaroi se kishte vazhduar të shprehë shqetësimin e tij tek sekretari.

Më tej, Salihu deklaroi se pasi kishte dalë në korridor, i akuzuari ishte duke e pritur tek shkallët dhe i ishte drejtuar me “Kom me ta tregu qejfin” duke bërë një gjest me laps.

Sipas tij, në këtë kohë në afërsi ishte një polic. Tha se e kishte konsideruar të arsyeshme ta raportojë rastin tek policia menjëherë.

Seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Arben Krasniqi, i cili deklaroi se atëkohë ishte ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm pranë Zyrës së Kryeministrit, dhe se rasti kishte ndodhur gjatë një takimi lidhur me një kontratë për mirëmbajtjen e ueb-faqes dhe pakënaqësive me operatorin ekonomik.

Dëshmitari Krasniqi deklaroi se gjatë takimit kishte debate në mes të akuzuarit Hajdari dhe të dëmtuarit Salihu, dhe kishte mospajtime rreth kontratës së lartcekur, mirëpo se nuk i kujtohet se çka konkretisht ishte debatuar.

Ai tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në Polici dhe se i akuzuari i ishte drejtuar të dëmtuarit me fjalët “O shqiptar a merr vesh ti” dhe “Hajt se shihemi jashtë, e sheh kush jam unë”.

Krasniqi deklaroi se këto fjalë i kishte konsideruar ofenduese dhe të papërshtatshme për institucionin, dhe ia kishte tërhequr vërejtjen të akuzuarit.

Ai shtoi se nuk qëndron pranë vlerësimit që kishte dhënë për të akuzuarin në deklaratën e dhënë në Polici, kur e kishte quajtur të pamatur, duke shtuar se ishte vetëm perceptim momental.

Sipas aktakuzës së ngritur më 31 tetor 2022 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Isa Hajdari akuzohet se më 4 gusht 2022, në Objektin e Kryeministrisë në Prishtinë, gjatë një takimi zyrtar, për shkak të një mosmarrëveshje në lidhje me punët zyrtare, ka kanosur të dëmtuarin Flamur Salihaj përmes fjalëve “se me ty nuk flas dhe nuk takohemi por shihemi jashtë dhe se do të tregoj qefin kur të takoj personalisht”.

Aktakuza thotë se pas disa minutave, i akuzuari Hajdari ka pritur të dëmtuarin në mes shakllëve të katit të dytë dhe të tretë, duke e kanosur përsëri me fjalët “se duhet të ketë kujdes kur të takohen” dhe “hiq mos ke merak se del najher prej k’tuhit”, duke shkaktuar tek i dëmtuari frikë dhe ndjenjë të pasigurisë.

Me këtë, i akuzuari Isa Hajdari akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA