Përgatiti: Nora Luta
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, të enjten paradite, u ul në bankën e të akuzuarit, në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Ai po vazhdon ballafaqimin me drejtësinë me akuzat se sa ishte deputet në vitin 2016, hodhi gaz lotsjellës në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, në kundërshtim të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.
Dëshminë ndaj akuzave për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm gjatë kësaj seance e nisi ish-nënkryetari Sabri Hamiti. Ai duke u përgjigjur në pyetjet e Prokurorisë, tha se përfaqësuesit e Vetëvendosjes ishin ata që kishin hedhur gazin lotsjellës.
E në pyetjet nga ana e mbrojtjes së Konjufcës, se nga gazi lotsjellës a ishte ndier i shqetësuar, Hamiti tha se ndihet i shqetësuar edhe nëse dikush gënjen.
Se ishte pamundësuar vazhdimi i punës në Kuvend, shkaku i gazit treguan edhe dëshmitarët Valdete Bajrami e Slobodan Petrovic. Por ata thanë se nuk e panë se ishte Konjufca ai që hodhi gaz.
Ndërkohë, mbrojtja nuk u pajtua me Prokurorinë, e cila u thirr në procesverbalin e mbledhjes së Kryesisë, të cilin e paraqiti edhe si provë.
Gjatë kësaj seance në plan ishte të dëgjohej në cilësinë e dëshmitarit edhe Pal Lekaj, por ajo u shty me kërkesë të Konjufcës, i cili nga Gjykata ditën e vazhdoi në Kuvendin e Kosovës.





