Trajneri kosovar, Arbnor Rifati dhe gjyqtari Daut Mehmeti janë arrestuar të premten, pas një aksioni nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, nën akuzat për kurdisje të ndeshjeve.
Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, ndaj të njëjtëve ka caktuar masën e sigurisë të arrestit shtëpiak prej 30 ditë.
ATV ka siguruar aktvendimin e Gjykatës Themelorë në Prishtinë, në të cilin janë dhënë detaje për vendimin e prokurorisë.
Avokati Florim Shefqeti në rolin e mbrojtësit të trajnerit Arbnor Rifati, tha se kundërshton masën e paraburgimit për palën e tij, për arsye se prokuroria nuk ka mbështetje dhe se ka gabime faktike të referimit të ndeshjeve për të cilat akuzohet trajneri.
Edhe avokati i gjyqtarit Daut Mehmeti, Mehmet Berisha, ka deklaruar nuk ka elemente të kryerjes së veprës penale nga pala e tij për të cilën pretendon prokuroria e shtetit.
Arbitri Mehmeti javë më parë u përjashtua nga basketbolli me vendim të FIBA-s, për kurdisje të ndeshjeve në Ligën Ballkanike. Rifati ka qenë trajner shumëvjeçar te Ponte Prizreni dhe së fundi drejtues i këtij klubi të basketbollit. /atvlive.tv