Gjykata Themelore e Prishtinës e ka publikuar aktgjykimin e plotë në rastin e Enver Sekiraqës, të cilin e dënoi me 25 vjet burgim në maj të këtij viti.
Aktgjykimin prej 156 faqesh e ka përpiluar anëtari i trupit gjykues Ngadhnjim Arrni, në mungesë të kryetarit, Agim Kuqi, që vazhdon të jetë i suspenduar pasi Sekiraqës ia ndryshoi masën nga arresti shtëpiak në liri.
Sipas aktgjykimit Enver Sekiraqa urdhëroi vrasjen e policit Triumf Riza për motive të hakmarrjes, si rezultat i një konflikti gjatë viteve 2000-2001.
Sipas gjykatës më 30 gusht të vitit 2007, vrasja e ish policit të Kosovës, u organizua në detaje, ku dorasi Arben Berisha me urdhër të Sekiraqës, e qëlloi njëmbëdhjetë herë.
Sekiraqa, nga maji i këtij viti është në arrati, pasi Apeli e ndryshoi vendimin e shkallës së parë, duke e kthyer në paraburgim.
Vendimin e Apelit për kthimin e Sekiraqës në paraburgim, e ka vërtetuar edhe Supremja.