Gjermania synon të zgjerojë ndjeshëm forcat e saj të armatosura duke rekrutuar deri në 40 mijë adoleshentë në vit për një formë të re vullnetare të shërbimit ushtarak.
Projekti do t’i paraqitet kabinetit qeveritar si projektligj në fund të gushtit dhe do të ofrojë paga tërheqëse dhe fleksibilitet për të tërhequr 18-vjeçarët.
Ministria e Mbrojtjes pret të mbushë këtë vit 15 mijë vende në programin ekzistues dhe të rrisë numrin e të rinjve të përfshirë me 3 deri në 5 mijë çdo vit, si pjesë e strategjisë për t’u përgatitur ndaj kërcënimeve të mundshme, veçanërisht agresionit rus.
Qëllimi është që deri në vitin 2031 të arrihet kuota prej 40 mijë vullnetarësh në vit, të cilët do t’i shtohen rezervave pas përfundimit të shërbimit. Në të njëjtën kohë, synohet rritja e numrit të ushtarëve profesionistë.
Kancelari Friedrich Merz ka premtuar ta bëjë ushtrinë gjermane forcën konvencionale më të fuqishme në Evropë, me investime miliarda euro në riarmatim. Synohet që madhësia e ushtrisë profesionale të rritet nga 182 mijë aktualisht në 260 mijë deri në vitin 2035, ndërsa rezervat e gatshme do të zgjerojnë nga 60 mijë në 200 mijë.