Qeveria gjermane po shqyrton vendosjen e sanksioneve ndaj Izraelit për shkak të përkeqësimit të situatës humanitare në Rripin e Gazës.
Kancelari Friedrich Merz deklaroi se një vendim mund të merret në ditët e ardhshme, pasi të pranohet raporti i plotë nga Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul, i cili ndodhet në një vizitë në Lindjen e Mesme për të vlerësuar gjendjen.
“Gjendja në Gaza është e papranueshme.”, tha Merz, duke theksuar se Gjermania nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj vuajtjeve të civilëve palestinezë.
Edhe Wadephul paralajmëroi se nëse nuk ka përparim për të ndihmuar popullsinë civile, Izraeli rrezikon izolim ndërkombëtar.
Për të treguar angazhim humanitar, Gjermania, së bashku me Britaninë dhe Francën, organizuan një urë ajrore për dërgimin e ndihmave emergjente në Gaza. Dy aeroplanë ushtarakë gjermanë hodhën 34 paleta me ushqime, ujë dhe ilaçe.
Ky vendim i mundshëm për sanksione përbën një ndryshim të madh në politikën tradicionalisht pro-izraelite të Berlinit dhe mund të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve. Zyrtarët gjermanë theksojnë se qëllimi nuk është ndëshkimi, por nxitja e një reagimi më të përgjegjshëm nga qeveria izraelite.