Forcës së Sigurisë së Kosovës iu shtuan edhe 15 ushtarë të rinj.
Pas katër vjet studime diplomoi gjenerata e 2023-të e kadetëve të Qendrës për Studime Universitare, ku në ceremoni mori pjesë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Derisa i uroi për punën e tyre, Kurti u shpreh optimist që në një të ardhme të afërt FSK do të jetë pjesë edhe e NATO-s.
“Mundi dhe përpjekjet katër vjeçare sot po ju shpaguhen, duke pranuar titullin e oficerëve të republikës dhe të forcës që u ndërtua mbi themelet e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, të kësaj force që në një të ardhme të afërt do të jetë pjesë e NATO-s, aleancës që mbështeti politikisht dhe ushtarakisht çlirimin dhe lirinë e vendit tonë”, tha Kurti.
Për angazhimin e tyre të deritanishëm u shpreh krenar edhe major Albion Ajvazi.
“Zgjedhjet që ju bëni, veprimet që ju ndërmerrni dhe vendimet që përballeni do të kenë një ndikim të madh në jetën e të gjithë atyre nën komandën tuaj, si dhe në sigurinë dhe mirëqenien e vendit tonë. Gjithmonë mbani në mendje peshën kësaj përgjegjësie dhe besimin që është vënë në supet tuaja”, tha Ajvazi.
Se vendit do t’i shëbejnë me ndër e deri në frymën e fundit, e tha edhe ushtari më i ri i Kosovës, Arianit Hoxha.
“Klasa 2023 të bashkuar, të pandashëm dhe të pathyeshëm, të rreshtuar para jush ju sigurojmë që me nder, vullnet, besnikëri e devotshmëri do t’i shpërbejmë Kosovës sonë të lirë deri në frymën e fundit, do të jemi gjithherë në krye të detyrës”, tha Hoxha.
Ndërkohë përgjatë dy vjetëve sipas ekzekutivit janë trajnuar jashtë vendit 3 mijë e 325 ushtarak. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: