Në kuadër të bashkëpunimit bilateral me Gardën Kombëtare të Iowa-s dhe me ftesë të Inspektoratit Gjeneral të kësaj Garde, ekipi i Inspektoratit Gjeneral të Ministrisë së Mbrojtjes, i udhëhequr nga gjeneralmajor Irfete Spahiu dhe i shoqëruar nga këshilltarja e NALT-it, kolonel Bryant, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vizitë morën pjesë gjithashtu kolonel Ramiz Bytyqi, major Vilson Musaj dhe rreshter shtabor Jeton Ramadani.
Gjatë kësaj vizite njëjavore, ekipi u prit nga Komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Stephen Osborn, me të cilin u zhvillua një takim i veçantë pune mes tij dhe gjeneralmajor Spahiut.
Vizita filloi me pritjen zyrtare nga ekipi i Inspektoratit Gjeneral të Gardës Kombëtare të Iowa-s, të kryesuar nga kolonel Piters dhe nënkolonel Mosby, ku pas fjalëve mirëseardhëse u mbajtën prezantime nga të dyja palët dhe më pas u zhvillua një trajnim për programin e inspektimit CIP-it, përgatitje kjo për inspektimin e përbashkët që u realizua më 13 dhe 14 shtator në Regjimentin 185 të Stërvitjeve.
Po ashtu, ekipi zhvilloi një vizitë informuese në Forcat Ajrore të Gardës Kombëtare të Iowa-s, ku u njoftua në detaje për detyrat dhe përgjegjësitë specifike të kësaj strukture.
Gjatë qëndrimit, përfaqësuesit nga Kosova morën pjesë edhe në ceremoninë “Gara e ushtarit më të mirë, ku morën pjesë tre pjesëtarë të FSK-së. Në vijim, u realizua një vizitë në shtëpinë e veteranëve të Iowa-s në qytetin Marshalltown, ku gjeneralmajor Spahiu u adresua personalisht veteranëve të akomoduar atje, ndërsa një tjetër ndalesë domethënëse ishte vizita në muzeun ushtarak “Iowa Gold Star Military Museum” në Camp Dodge.
Në fund të vizitës në SHBA, delegacioni i Inspektoratit të Përgjithshëm vizitoi edhe Konsullatën e Republikës së Kosovës në Des Moines, ku u diskutua për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve amerikanë.