Kalo te përmbajtja
Të fundit

Lansohet sistemi i pagesave të shpejta, transferet bankare në Kosovë do të kryhen brenda sekondave

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

Lansohet sistemi i pagesave të shpejta, transferet bankare në Kosovë do të kryhen brenda sekondave

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) organizoi ceremoninë zyrtare të lansimit të Sistemit të Pagesave të Shpejta të Kosovës (TIPS-K), i cili tashmë është i gatshëm për lidhjen e bankave.

Ofrimi i shërbimit për qytetarët dhe bizneset do të fillojë më 23 nëntor 2026 me katër bankat e para, të cilat kanë përfunduar përgatitjet teknike dhe operative dhe janë të gatshme të ofrojnë pagesa të shpejta. Bankat e tjera janë në proces të përgatitjes dhe do të lidhen gradualisht me sistemin deri më 23 shkurt 2027, kur përfundon periudha kalimtare tremujore.

Reklamë

Në fjalën e tij, Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, theksoi se TIPS-K është infrastruktura kombëtare për pagesa të shpejta dhe një investim strategjik që rrit efikasitetin e ekonomisë, krijon mundësi për zhvillimin e shërbimeve të reja dhe e afron Kosovën me praktikat evropiane të pagesave.

Guvernatori Ismaili nënvizoi se qytetarët dhe bizneset do të mund të transferojnë mjete ndërmjet llogarive në banka të ndryshme brenda pak sekondash, 24 orë në ditë, gjatë gjithë vitit, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare. Shërbimi do të ofrohet përmes llogarive ekzistuese dhe kanaleve digjitale të bankave pjesëmarrëse, pa pasur nevojë për llogari apo aplikacione të reja.

Guvernatori i BQK-së falënderoi Bankën e Italisë për partneritetin dhe zhvillimin teknik të platformës, Bankën Qendrore Evropiane për mbështetjen institucionale dhe Bankën Botërore për ekspertizën dhe asistencën teknike. Ai shprehu mirënjohje edhe për ekipet e BQK-së, bankat dhe institucionet partnere për punën në përgatitjen dhe funksionalizimin e sistemit.

Në ceremoni mbajtën fjalë përshëndetëse Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati. Qeveria e Republikës së Kosovës mbështeti financiarisht realizimin e TIPS-K në kuadër të Projektit të Zhvillimit të Sektorit Financiar, përmes marrëveshjes me Bankën Botërore, të nënshkruar nga Ministria e Financave. Fjalë përshëndetëse mbajti edhe Ambasadori i Italisë në Kosovë, z. Maurizio Antonini.

Bashkëpunimi për zhvillimin e TIPS-K nisi zyrtarisht në janar të vitit 2025 në Romë, përmes marrëveshjes me Bankën e Italisë për platformën TIPS Clone për Ballkanin Perëndimor. Banka e Italisë, me miratimin e Bankës Qendrore Evropiane, e zhvilloi platformën mbi teknologjinë TARGET Instant Payment Settlement (TIPS) të Eurosistemit. Më 23 nëntor 2026, Banka e Italisë do të organizojë në Romë ceremoninë e lansimit në nivel rajonal, ku do të marrë pjesë edhe Guvernatori i BQK-së, krahas guvernatorëve të vendeve të tjera pjesëmarrëse nga rajoni.

Guvernatori Ismaili theksoi se modernizimi i pagesave brenda vendit përmes TIPS-K dhe integrimi në tregun evropian të pagesave janë dy drejtime plotësuese të reformave të BQK-së. Në këtë kuadër, ai përmendi aplikimin zyrtar të Kosovës për përfshirje në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), të dorëzuar më 6 nëntor 2026, si hap drejt pagesave ndërkufitare në euro më të shpejta dhe me kosto më të ulët.

Zbatimi gradual dhe tarifat e transfereve

Në fazën e parë, përmes TIPS-K do të mund të realizohen transfere deri në 3.000 euro për transaksion. Kufiri do të rritet në 10.000 euro në një fazë të mëvonshme, brenda vitit të parë të funksionimit të sistemit.

Nga 23 nëntori 2026, të gjitha bankat do të zbatojnë tarifat e reja për transferet bankare, pavarësisht datës së lidhjes së tyre me TIPS-K. Bankat i përcaktojnë tarifat e tyre brenda kufijve të miratuar nga BQK-ja.

Zgjerimi i shërbimeve dhe i pjesëmarrjes

Lidhja e të gjitha bankave me TIPS-K do ta shtrijë ofrimin e pagesave të shpejta në të gjithë sektorin bankar. Gjatë vitit 2027, BQK-ja parasheh zhvillimin gradual të shërbimeve shtesë për pagesa në pikat e shitjes, duke ua lehtësuar bizneseve arkëtimin me kosto më të ulët. Po gjatë vitit 2027, parashihet të nisë procesi i zgjerimit të pjesëmarrjes për institucionet jobankare të pagesave dhe institucionet e parasë elektronike që plotësojnë kushtet e përcaktuara nga BQK-ja.

Siguria dhe informimi i përdoruesve

BQK-ja ka përmbyllur kornizën rregullative dhe operative për funksionimin e TIPS-K, përfshirë masat për parandalimin e mashtrimeve, të pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit. Siguria kibernetike dhe qëndrueshmëria e sistemit do të mbeten përparësi për BQK-në.

BQK-ja u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që, para se të konfirmojnë çdo transfer, të verifikojnë me kujdes të dhënat e përfituesit dhe shumën, si dhe të mbajnë konfidenciale kodet e sigurisë, fjalëkalimet dhe të dhënat e tjera të qasjes.

Reklamë