Haxhiu takon homologun nga Maqedonia e Veriut, në fokus bashkëpunimi ndërparlamentar

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar takimin e parë të vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut me homologun e saj, Afrim Gashi.
Gjatë takimit, Haxhiu ka bërë të ditur se me Gashin diskutuan për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, me theks të veçantë në forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe rolin e kuvendeve në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Reklamë
Haxhiu theksoi rëndësinë e mbështetjes së gjerë parlamentare për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, duke vlerësuar se bashkëpunimi duhet të përfshijë si shumicën parlamentare, ashtu edhe opozitën.
Në këtë drejtim, palët biseduan për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit përmes komisioneve parlamentare dhe grupeve të miqësisë, si dhe për rolin e kuvendeve në mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet dy shteteve.
“Me Kryetarin Gashi biseduam për forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar përmes komisioneve dhe grupeve të miqësisë. U ndalëm edhe te roli i kuvendeve në mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve, në mënyrë që bashkëpunimi ynë të sjellë përfitime konkrete për qytetarët”.
“E falënderova për mbështetjen që Maqedonia e Veriut i jep Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Biseduam edhe për bashkërendimin e përpjekjeve tona në forumet parlamentare ndërkombëtare dhe për rrugën evropiane të dy vendeve”, ka shkruar ajo.
Reklamë









