Sot në kazermën “Adem Jashari” diplomuan 16 oficerë të rinj të gjeneratës së vitit 2024 të kadetëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili duke uruar kadetët e rinj, tha se qershori i ngjarjeve të rëndësishme historike për liri e pavarësi po përmbyllet këtë vit me shtimin e dhjetë oficerëve të rinj të FSK-së.
Maqedonci tha se ky vit jubilar dallon nga vitet tjera për shkak të pozicionit ku gjendet ushtria e Kosovës, për çka përmendi investimet mbi 200 milionë dhe numrin e ushtarëve dhe oficerë të rekrutuar.
Ai shtoi se Ushtria e Kosovës po ecën me hapa të shpejtë drejt zhvillimit me kapacitete të plota si ushtri profesionale.
“Qershorin e ngjarjeve të rëndësishme historike, luftës për liri e pavarësi po e përmbyllim këtë vit duke i shtuar radhëve të FSK-së edhe dhjetë oficerë të rinj. Përvjetori i çlirimit këtë vit përtej simbolikës si vit jubilar dallon nga vitet e tjera për shkak të stadit në të cilin gjendet sot ushtria e Kosovës. Më rritjen në 2 për qind të GDP-së të Bruto Produktit vendor të ndarë për ushtrinë me mbi 200 milionë investime në këto 3 vitet e fundit dhe mbi 1800 ushtarë e oficerë të rinj të rekrutuar. Ushtria e Kosovës me hapa të shpejtë po ecën drejt zhvillimit me kapacitete të plota si ushtri profesionale dhe multi-etnike. Ëndrrën e të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë sot po e jetësoni ju kadetë. Me diplomimin tuaj si oficerë po ndërtoni shtylla të rëndësishme të ushtrisë, andaj nuk kam se si ta fshehë krenarinë që ndjej për ju”, tha Maqedonci.
Ndërkaq, duke vlerësuar profesionalizmin e pjesëtarëve të FSK-së, Maqedonci tha se bashkëpunimi i me shtetet aleate është si rezultat i këtyre vlerave.
Maqedonci gjithashtu falënderoi familjarët për mbështetjen ndaj kadetëve, duke thënë se ai nuk ka asgjë që e bën më krenar se sa të shoh rritjen dhe zhvillimin e Ushtrisë së Republikës së Kosovës.
“Ju pjesëtarët e FSK-së në vazhdimësi po tregoni profesionalizëm në çdo garë e trajnim ndërkombëtar. Bashkëpunimi i qëndrueshëm që kemi krijuar me shtetet partnere është si rezultat i vlerave që përfaqësojmë… Dimë çka besojmë dhe çka angazhohemi, luftojmë vetëm për paqen ashtu siç të parët tanë, Komandanti Legjendar Adem Jashari, dëshmorët dhe veprimtarët e kombit e bënë para nesh. Për fund, dua t’u uroj diplomimin dhe dijeni se keni përkrahjen e popullit dhe gjithmonë do të keni përkrahjen time. Në këtë rast falënderoj familjarët tuaj për mbështetjen që iu kanë dhënë. E di që nuk është e lehtë mbështetja e një kadeti në zhvillimin e tij profesional, është jetike dhe instrumanetale për suksesin në vazhdim. Nuk është e lehtë as pesha e uniformës që bartni, por pikërisht përball vështirësive vlerësohet madhështia e njeriut. Nuk ka asgjë që vlerësoj më shumë se sa betimi juaj për t’iu përkushtuar atdheut. Nuk ka asgjë që më bën më tepër krenar se të jem këtu sot e të shoh ushtrinë e Republikës së Kosovës teksa rritet e zhvillohet”, tha Maqedonci.
Kurse, Komandantja e Qendrës për Studime Universitare, që ka për qëllim të mëshirojë kadetët-oficerët me vlera ushtarake, Majore Mimoza Gudeci në ditën e saj e fundit si komandante e kësaj qendre, ndau tri mësime me kadetët e sapo diplomuar.
Ajo tha se detyra, nderi dhe atdheu janë fjalë që duhen të kujtohen gjithmonë në mënyrë që çdo veprim e vendim i tyre do të jetë i drejtë dhe i mirë.
“Porosia ime e parë për ju kadet është që asnjëherë mos harroni qëllimin tuja, qëllimi që përbëhet nga tri fjalë që keni dëgjuar më së shpeshti gjatë trajnimit 4 vjeçar në QSU, ka qenë dhe është i përbërë nga tri fjalët, detyra, nderi dhe atdheu. Sot para juve unë kërkojë nga të gjithë ju nga sot e deri në ditën e fundit kur do të pensionoheni të mbani mend këto tri fjalë, ky është qëllimi i shërbimit tuaj dhe nëse ju para çdo vendimi dhe veprimi, do t’i mbani mend këto tri fjalë, atëherë çdo veprim dhe vendim i juaji do të jetë i drejt, i mirë dhe profesional…QSU dhe unë jam krenare me atë që keni arrit të bëheni sot, një zonjushë dhe 15 zotërinj, të cilët do të udhëheqin Forcën e Sigurisë së Kosovës me shembullin më të mirë. Kjo është ajo që presim të gjithë“, tha ajo, duke shtuar se kadetët që të jenë vetvetja në vendime të vështira dhe të punojnë në mënyrë ekipore, duke respektuar varësit e tyre.
Në këtë ceremoni, shpërblimi “Kadet i dalluar në rrugëtimin 4-vjeçar” iu nda, Atdhe Ahmetit, i cili në emër të klasës 2024, tha se janë falënderues ndaj familjes dhe instruktorëve të cilët ngjallen një shpirt luftarak te kadetët që të ngritin vlera ushtarake.
“Në çdo hap të rrugëtimit tonë ne ishim krah i fort i njëri tjetrit, bashkë gjithçka ka qenë e arritshme, miqësia dhe besnikëria që ne kemi krijuar gjatë këtyre 4 viteve na bëjnë të pathyeshëm përball çdo vështirësie. Le të kujtojmë se forca më e madhe për ne është dashuria për atdheun. Ky vend pati burra e gra që kur pati më së shumti nevojë i dolën Zot, e atyre ne u jemi gjithmonë mirënjohës“, tha ai.
Në fund kadetët e rinj kanë pranuar diplomat e tyre.