KFOR-i ka njoftuar se autorizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për të marrë pjesë në operacionin për kërimin e trupit të mërgimtarit që dyshohet se u hodh të dielën në Ujman është bërë nën kërkesa specifike.
Sipas njoftimit të misionit të NATO-s, operacioni do të sigurohet nga ushtarët e KFOR-it.
“Të martën, më 29 korrik, komandanti i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, gjeneral-major Enrico Barduani, autorizoi Forcën e Sigurisë së Kosovës të vendoste ekipe kërkim-shpëtimi në zonën e Liqenit të Ujmanit. Autorizimi u dha në përputhje të plotë me autoritetin e komandantit të KFOR-it, për të maksimizuar përpjekjet e vazhdueshme për të gjetur një burrë 33-vjeçar që raportohet se ka hyrë në liqen disa ditë më parë. Autorizimi është i kushtëzuar nga kërkesat specifike dhe i vendosur nga KFOR-i, i cili gjithashtu do të ofrojë siguri gjatë gjithë operacionit”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Tutje thuhet se përdorimi i ekipeve SAR të FSK-së “bie nën mandatin fillestar të FSK-së, i cili përfshin mbështetje për komunitetet lokale, në përgjigje të fatkeqësive natyrore, përmes operacioneve të kërkim-shpëtimit”.
Në njoftim thuhet se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, siç thuhet për të kontribuar në një mjedis të sigurt.
Dërgim i FSK-së në veri të vendit mund të bëhet vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.