16.7 C
Pristina
E mërkurë, 1 Maj, 2024

Fotografitë dhe videot nga grupi Albkings përdoreshin në disa rrjete sociale

Përgatiti: Armand Hoti

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka caktuar të enjten masën e paraburgimit prej 30 ditësh për administratorin e grupit “ALBKINGS”.

Online grupi i krijuar në “Telegram”, shfrytëzohej nga qindra mijëra shqiptarë, për të shpërndarë fotografi intime të vajzave, të cilat më pas edhe shantazhoheshin.

Mbi këtë bazë, E.N dyshohet për vjedhje të identitetit dhe kredencialeve.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.N., duke iu caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Referuar njoftimit të Gjykatës, grupi dyshohet të ketë operuar nga nëntori i vitit të kaluar e deri më 12 prill të këtij viti.

Ndërkohë, “Telegrami” nuk qe e vetmja platformë që përdorej nga administratorët e grupit.

“I pandehuri E.N. dyshohet se në vazhdimësi nga muaji nëntor i vitit 2023 e deri më datë 12.02.2024 në Obiliq dhe qytete të tjera të ndryshme të Kosovës, në cilësi të njërit nga administratorët e grupit “Albkings”, në aplikacionin Telegram e duke vepruar në bashkëkryerje me personat NN ende të paidentifikuar, ka ofruar dhe shpërndarë te personat e tretë pa autorizim fotografi, video intime dhe numër të telefonit të dy të dëmtuarave, si dhe të dhënat e identifikimit edhe të personave të tjerë-kryesisht të gjinisë femërore, në grupin “Albkings” në rrjetin social Telegram, por edhe në rrjete të tjera siç është aplikacioni TikTok, për qëllime të prostitucionit, siç janë: emrat, mbiemrat, adresat dhe numrat e telefonave të tyre”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë u ka apeluar viktimave të këtij grupi, që t’i paraqesin dëshmitë e tyre në polici.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë iu bën apel të gjitha të dëmtuarave në rastin e “Albkings”, përmes së cilit grup iu janë shpërndarë video dhe fotografi intime të tyre, si dhe të dhëna të tjera personale, të mos hezitojnë e të paraqiten në stacionet policore më të afërta të vendbanimit të tyre, në mënyrë që të bashkëpunojnë ngushtë me organet e rendit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Eksperti i kibernetikës, Mentor Hoxhaj, thotë se qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm në aktivitetet e tyre online.

“Realisht ne jemi mjaft të lëndueshëm në hapësirën kibernetike, çdo ditë jemi duke e shfrytëzuar më shumë. Në këtë rast jemi më shumë shfrytëzues pasiv të themi, sesa aktiv, ne bëjmë apel te qytetarët të jenë të kujdesshëm në atë se çfarë postojnë apo klikojnë”, tha Hoxhaj.

Administratori i “ALBKINGS” u arrestua të mërkurën. Kjo, u mirëprit edhe nga vetë Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA