Përgatiti: Nora Luta
Ishte 10 prilli i vitit 1998 kur Hafir Shala, derisa po udhëtonte me veturë bashkë me dy persona të tjerë nga Gllogoci për në Prishtinë, u ndalua nga pjesëtarë të Sigurimit Shtetëror të Serbisë.
25 vjet pas luftës, fati i Shalës ende nuk është zbuluar, por Prokuroria Speciale i ka dyshimet e bazuara mirë se përgjegjës për ndalimin e mjekut dhe keqtrajtimin e tij është Sllavisha Filliq.
Ndaj tij ka ngritur aktakuzë në mungesë, e të mërkurën filloi shqyrtimi gjyqësor.
Sipas aktakuzës, Shalën, Filliq si pjesëtar i sigurimit shtetëror, bashkë me dy persona të tjerë, e dërguan në ndërtesën e sigurimit shtetëror, ku edhe e keqtrajtuan.
Aktakuza ishte ngritur në shtator të 2023-s, ndërsa gjykata ka konstatuar se janë krijuar kushtet ligjore për nisjen e gjykimit në mungesë.
Të akuzuarin në këtë proces e përfaqëson avokatja Milka Milosavljevic, e cila ka paralajmëruar se do ta shfrytëzojë të drejtën për kërkesë për hedhje të aktakuzës brenda afatit ligjor, që është 30 ditë nga nisja e shqyrtimit fillestar.
Ky është gjykimi i katërt në mungesë për krime lufte që ka filluar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, që nga hyrja e ligjit në fuqi.